Opozita: Kjo qeveri është kthyer në një qeveri skrapi

Duke grabitur skrap ne Azotik
Akuzat në Kuvend: Këtë kabinet po e mban në këmbë ideali i skrapit
Opozita ka akuzuar në Kuvend se ekzekutivi shqiptar është një qeveri skrapi. Duke iu referuar skandaleve të fundit të grabitjes së uzinave, fabrikave dhe TEC-eve shqiptare, në mënyrë barbare, për ti shitur për skrap, deputeti i PS, Arben Isaraj, tha se këtë kabinet po e mban në këmbë ideali për skrapin. Sot kjo qeveri është kthyer në një qeveri skrapi. Është çdo ditë një qeveri në padrejtësi, është çdo ditë një qeveri në një punë të keqe.
Qeveri skrapi, që nuk di të ndalet përpara asnjë veprimi, sado i ulët dhe i paligjshëm. Qeveri skrapi që nuk e vret ndërgjegja për asgjë, e gatshme për çdo poshtërsi, qoftë kjo edhe kushtetuese- juridike.
E pabesueshme, e pakonceptueshme, por me veprimet e saj të përditshme kjo qeveria arrin deri aty sa të përdorë edhe Kushtetutën, aktin normativ për të korrupsionin dhe lekët e skrapit.
Ka gojë të liga kabllogramesh kombëtare, që thonë se celula qytetare PD- LSI, u krijua dhe qëndron në këmbë për idealin e skrapit dhe fuqinë magjike të tij.
Aq e vërtetë është kjo, sa thonë që celula qytetare PD- LSI, tanimë kualifikohet si celula scrape together, tha Isaraj.
Deputeti socialist tregoi edhe një barsoletë që qarkullon online.
Aq shqetësuese dhe problematike është bërë për shoqërinë tonë njerëzore kjo problematikë grabitje dhe korrupsioni, saqë është e çuditshme, por në blogjet e internetit gjenden barsoleta të tipit: Në një zyrë tenderuesi kishte vënë përballë tre ofertues dhe midis tyre zhvillohet ky tenderim kualifikues online: Tenderuesi: Nga je zotëri? Fehmiu jam, nga Kukësi, përgjigjet ofertuesi i parë. nuk fiton or ti, kumton tenderuesi. Po ti, i drejtohet të dytit. Thimi, nga Korça, përgjigjet i dyti. Nuk fiton or ti, kumton prapë tenderuesi. Po ti, i drejtohet të tretit. Sulçja nga Skrapari, përgjigjet i treti serbes. Fiton or ti, kumton tenderuesi. Po pse, ulërasin dy të parët. Tenderuesi i shikon me përçmim dhe gjithë shkëlqim intelektual ju shpjegon: Rrënja e toponimit Skrapar vjen nga fjala skrap. Dhe këta or ti nxjerrin ar nga skrapi, prandaj quhet Skrap-ar.
Nuk mund të ketë fatkeqësi më të madhe për këtë popull se sa të qeveriset nga njerëz që lulëzimin e tyre e ngrenë në keqbërje, në grabitje e vrasje. Ndaj pakti ynë, i gjithë apo në pjesë të veçanta të tij, nuk janë të pranueshme për këtë celulë skrapi, për këtë qeveri të korruptuar. Edhe deklarata e juaj e përsëritur anti-pakt nuk është gjë tjetër veçse skrap paper, një fletë e keqe, një kopje e pastër korrupsioni e kësaj qeveri, që po ngërthen gjithë shoqërinë, tha Isaraj.