E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Mosmiratimi i reformave cenon imazhin e Shqipërisë

Debati i gjatë politik është një notë negative në imazhin e Shqipërisë tek ndërkombëtarët. Kështu vlerëson zëvendëskryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Zhelko Kacin. Sipas tij, klasa politike duhet të tregohet serioze dhe realiste në prioritetet strategjike që janë çelësi kryesor për integrimin e Shqipërisë. Ai ka theksuar se nuk mjaftojnë deklaratat pro integrimit, por duhen veprime konkrete çka do të faktoheshin me miratimin e reformave integruese që janë përcaktuar si kushte të domosdoshme për t’u plotësuar nga KE-ja. “Ky raport do të jepet më 12 tetor dhe ai do të na paraqesë progresin ose joprogresin e Shqipërisë. Fatkeqësisht, në rastin e Shqipërisë, vendi është bllokuar për një periudhë të gjatë nga konflikti i shumicës me opozitën. Të dyja palët, pozita dhe opozita mund të premtojnë se integrimi në BE është “alfa” dhe “omega”, por kur ne vëzhgojmë praktikat politike të përditshme, vëmë re se ato janë komplet të ndryshme nga premtimet. Nuk është e mjaftueshme të deklarosh diçka. Ju keni nevojë ta zhvilloni dhe ta zbatoni atë, jo vetëm njëherë, por në vazhdimësi”, - ka pohuar Jelko Kacin, zëvendëskryetar i Delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore. Lidhur me përgjigjen që pritet të marrë Shqipëria më 12 tetor, Zhelko Kacin thotë se politika shqiptare ndodhet përballë sfidës për të treguar veten. Sipas tij, klasa politike shqiptare duhet të krijojë besim tek qytetarët, por edhe tek faktori ndërkombëtar. “Pas gjithë këtyre eksperiencave negative të këtyre viteve në Shqipëri, unë besoj se politika shqiptare duhet ta tregojë veten. Kjo është sfida për politikanët. Ndoshta mund të duhet ende një vit ose dy për treguar imazh tjetër, për të prezantuar veten përsëri në atë nivel, që ne t’i besojmë atyre deklaratave dhe premtimeve që bëjnë politikanët. Tani për tani, unë mendoj se ekziston një dallim i madh midis fjalëve dhe realitetit”, - vijoi Kalcin. Opozita prej javësh është kthyer tashmë në Kuvend pro prezenca e saj është sërish e kushtëzuar për shkak se nuk pranon të votojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Pjesa më e madhe e këtyre drafteve janë pjesë e rëndësishme e 12 prioriteteve të vendosura për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian duke krijuar kështu njaq disavantazh të dukshëm për vendin. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›