E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita apel qeverise per Veriun Te kryhet misioni

Opozita në Kosovë kërkon nga qeveria të mos tërhiqet nga vendimi i saj për të vendosur rendin e ligjin edhe në veri të Kosovës dhe të mos mjaftohet me deklarata bombastike se ka kthyer kontrollin në këtë pjesë, ndërsa realiteti në terren flet ndryshe. Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës i bënë thirrje Qeverisë që aksionin e nisur me 25 korrik për të vendosur kontrollin në tërë territorin e Kosovës ta çojë deri në fund dhe të mos pranojë asnjë kompromis me askënd përsa i përket vendosjes së ligjshmërisë në këtë pjesë.

“LDK kërkon që këto aksione të shkojnë deri në fund. Aksionet të mos mbesin vetëm aksione që vetëm të fillohen. Më mirë është që veprimet të jenë me të gjata e të përgatitura dhe që kanë efekt sesa vetëm për të bërë aksione dhe për të mos pasur rezultate.  Çdo gjë që shkon në favor të vënies së rendit dhe ligjit në territorin e Kosovës, e në veçanti në veri, LDK e përkrah, por nuk dëshirojmë që këto të mbesin  aksion sa për të qenë”- tha kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vlerëson të domosdoshëm bashkërendimin e veprimeve mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për vendosjen e kontrollit në veri.

“Institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare duhet të veprojnë në atë mënyrë që në veri të ketë rend dhe ligj dhe po ashtu Serbisë t’i bëhet me dije se nuk mund të shkel mbi territorin e Kosovës përmes mekanizmave të këtij shteti. Kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës që të bëjnë veprimet e duhura në mënyrë që atje të ketë siguri si në gjithë territorin e Kosovës dhe të ketë veprim të institucioneve të Kosovës dhe të mos ketë vetëm deklarime”- tha Ahmet Isufi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri.

Partitë opozitare kërkojnë edhe nga Misioni EULEX të heqë dorë nga neutraliteti dhe të mbështesë institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

Së fundi ky mision i mbështetur edhe nga KFOR-i ka ndërmarrë disa aksione në veri në kërkim të vrasësve të policit Enver Zymberi dhe të personave përgjegjës për djegien e pikës kufitare në Jarinje, për të cilët tashmë ka edhe një urdhër-arrest.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›