E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirepresim Venecian Berisha do rekomandim ne ligj

Maxhoranca qeverisëse mirëpret asistencën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it për ligjin e ri elektoral. Këtë garanci ka dhënë Kryeministri Sali Berisha duke komentuar letrën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës drejtuar komisionit të Venecias për kodin zgjedhor. Ai tregoi gatishmërinë për të përkthyer në ligje të gjitha rekomandimet që i janë sugjeruar Shqipërisë në dy vitet e fundit. Përsa i takon paketës së propozimeve që pritet të vijnë nga kampi opozitar, Berisha theksoi se do të pranojë çdo propozim konstruktiv për hir të integrimit të Shqipërisë.

“Qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR. Kodi aktual Zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj, me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita”-tha Berisha.

Kabllogramet e Wikileaks për korespondencën mes ambasadës amerikane në Tiranë dhe Departamentit Amerikan të Shtetit nuk u kanë shpëtuar komenteve të kryeministrit Berisha. Madje kryeministri përsëriti epitetin me të cilin e krahasoi njeriun që zbuloi sekretet e diplomacisë së vendit më të madh të botës.

“Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës”-theksoi ai.

Duke i cilësuar kabllogramet pasqyrë e shtypit shqiptar, referuar përplasjeve të politikanëve të dy kampeve politike, Kryeministri Berisha i cilësoi marrëdhëniet me SHBA si të shkëlqyera. Sipas Berishës, Amerika është dhe do të vazhdojë të jetë një vend mik për Shqipërinë. 

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›