E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi ndaj ministres reagon qeveria Thaci

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një deklarate publike, ka shprehur indinjatën dhe ka dënuar fuqimisht – siç e quan – “manifestimin e dhunës dhe vandalizmit ndaj zëvendëskryeministres Edita Tahiri në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ të Prishtinës, pas kthimit të saj nga Brukseli”.

“Sulmi, i cili është kryer nga individë të deklaruar si aktivistë të Lëvizjes politike “Vetëvendosje”, është një akt politikisht i papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Ky akt është vandal dhe manifestim huliganizmit për qëllim të përfitimit politik”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Kosovës, siç theksohet më tej, është e angazhuar në procesin e dialogut të barabartë me Serbinë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me raportet në mes të dy shteteve. Kjo rrugë, sipas Qeverisë, do të çojë në njohjen reciproke të dyja shteteve dhe në normalizimin e marrëdhënieve në rajon.

“Sundimi i rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë. Ata që kundërshtojnë këtë, pavarësisht se nga vijnë, nuk do të kenë perspektivë në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës”, thuhet në fund të deklaratës publike të Qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›