E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita bllokon rrugët, protesta pritet të paralizojë Tiranën, Berisha: Sot dita e revoltës

Kryetari i PD Sali Berisha ftoi qytetarët ti bashkohen sot në orën 17.00 mosbindjes civile të opozitës.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se revolta e opozitës organizohet në emër të të gjithë qytetarëve për të cilët jetesa është bërë më e vështirë se 10 vite më parë.

“Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore”, tha Berisha.

Opozita do të bllokojë 5 akset kryesore në Tiranë,  kryqëzimin tek rruga e Elbasanit, sheshin para bashkisë së Tiranës, sheshin Uillson, zonën tek Pallati me Shigjeta dhe Zogun e Zi.

“Ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve”, shtoi  kreu i PD-së

Nga ana tjetër Berisha u ndal edhe tek debati më i fundit për mbylljen e rrjetit social TikTok. Kryetari i PD Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për censurë.

“Unë nuk them se kanë anë negative, por elementët që i keqpërdorin, duhen kontrolluar ata dhe jo TikToku, dhe jo FB, Instagrami apo mediat e tjera. E dënoj me ashpërsinë më të madhe”, përfundoi Berisha.

Berisha deklaroi se në rast të fitores së PD ne 11 maj, ai do të rihap rrjetin Tik Tok.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›