E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bllokon sërish votimin e tre ligjeve të Brukselit

22-02-2013 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Topalli ftoi sërish ligjvënësit e PS-së që të votojnë 3 ligjet e kërkuara nga BE, por deputetët e prapa-listës së socialistëve s’guxojnë dot të thyejnë urdhrin e bolshevikut që ka marrë peng opozitën


Partia Socialiste bashkoi votat me mazhorancën dje në Kuvend, për ratifikimin e tre marrëveshjeve ndërkombëtare, por sërish refuzoi të votojë tre ligjet e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Tre projektligjet “Për ratifikimin e ndryshimeve të Konventës “Për mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore”; “projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”, si dhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së themelimit të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim”, u miratuan me unanimitet. Ajo që spikati ishte se opozita nuk shfaqi asnjë interes për tre ligjet e Komisionit Europian, të përfshira në rendin e ditës. Sërish, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi Partinë Socialiste që të votojë ligjet e statusit, por pa ia dalë të bindë grupin parlamentar socialist, edhe pse mesazhi për ta ishte tepër i qartë; “mbylleni me nder, sepse 2/3 e juaja s’do jenë më në listën e deputetëve të PS”. “Ju votoni me konsensus ligjin për armët bërthamore dhe nuk votoni 3 ligjet për statusin. Bllokoni miliona euro për pushtetin lokal, miliona euro për bujqësinë. S’keni për të qenë deputetë treçereku juaj, votoni se ka për t’ju mbetur peng të shpirt apo nuk kanë shpirt...?! Keni për të mbetur në histori. Bëhuni burra se 10 vetë na duhen, votojmë ligjet dhe marrim statusin..., por edhe t’ju heqim nga lista do hyni në histori. Gabim e keni si të doni”, tha Topalli. Ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit dhe dy projekt ligjet për gjykatën e lartë dhe nëpunësin civil mbeten në rendin e ditës. Në vijim, me kërkesë të deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, Kuvendi zhvilloi dy interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, lidhur me ligjshmërinë e procesit të privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, si dhe lidhur me situatën në sistemin elektroenergjetik shqiptar, veçanërisht pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për heqjen e licencës kompanisë CEZ Shpërndarje.


Kuvendi ratifikon konventën “Për mbrojtjen e materialeve bërthamore”/ Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi me votë unanime dje, ratifikimin e ndryshimeve në Konventën ndërkombëtare “Për mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore”, qëllimi i së cilës është bashkëpunimi mes shteteve palë për mbrojtjen gjetjen dhe kthimin e materialit bërthamor, si dhe marrjen e masave nga shtetet për parandalimin dhe dënimin e veprave penale që lidhen me këtë aktivitet. Me rritjen e kërcënimit të terrorizmit, në korrik të vitit 2005 në Vjenë, Konferenca Diplomatike e rishikoi Konventën dhe e zgjeroi fushën e veprimit të saj, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar për parandalimin e veprave penale që lidhen me materialet bërthamore, në veçanti për trafikimin e paligjshëm të tyre, si dhe sabotazhin e materialeve dhe të impianteve bërthamore. Shtetet palë në këtë dokument detyrohen të krijojnë kuadrin e brendshëm ligjor, të përcaktojnë autoritetin kompetent për zbatimin e ligjit, si dhe të marrin masa për neutralizimin e këtyre materialeve, nëse ato kalojnë transit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Autoriteti përgjegjës për kontrollin e të gjitha veprimtarive të tilla është Agjencia Kombëtare Bërthamore, e cila ka lidhur edhe protokollin shtesë me Agjencinë Kombëtare të Energjisë Atomike, e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 2 vjet më parë. Kjo Agjenci është dhe autoriteti që autorizohet për kontrollet, raportimet dhe koordinimet e nevojshme të legjislacionit të brendshëm. Aktualisht, në këtë konventë janë palë 145 shtete. Ndërkohë, amendimi i saj, që u shqyrtua dhe u miratua dje në parlament, aktualisht është në proces ratifikimi nga 47 vende, e cila hyn në fuqi nëse ratifikimi i saj bëhet nga 2/3 e shteteve palë të saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›