E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bojkot seancës së fundit parlamentare

12/05/2009  Mazhoranca miraton marrëveshjet e huas edhe pa PBDNJ-në

Topalli socialistëve: Të blerët do të përballen me ligjin

Dhunimi i fjalës në Parlament jo vetëm gjatë 4 vjetve të mandatit të këtij Parlamenti, por edhe gjatë seancës së djeshme ka qenë arsyeja, sipas deputetëve të opozitës, që i ka detyruar ata të braktisin seancën e djeshme parlamentare. Këtij vendimi i janë bashkëngjitur edhe deputetët e PBDNJ-së, parti e cila përflitet se do t’i bashkëngjitet koalicionit të PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fillim të seancës kryetarja e grupit parlamentar të PS-së ka akuzuar mazhorancës për dhunim dhe censurim të fjalës së opozitës. “Është e qartë se edhe pas katër vjetësh në krye të Kuvendit s’keni kuptuar se nuk jeni ju që vendosni t’ia hiqni fjalën opozitës. Po e mbyllni këtë parlament me standarde të dyfishta: një për opozitën dhe një për deputetët tuaj”, - deklaroi Leskaj duke kërkuar zhvillimin nga Kuvendi të debatit të lirë gjatë 60 minutave. Përballë këtij pretendimi Kryetarja Kuvendi Jozefina Topalli ka theksuar se vendimi është marrë nga Konferenca e Kryetarëve, mbledhje të cilën opozita e bojkotoi. “Në Kuvend s’keni folur ju, por kryetari juaj. O sa keq që ju ka përdorur, mor vëllezër! Ai është frikacak, i paburrë, që për 4 vjet po fshihet pas jush. Po s’patët leje ndërtimi, nuk hyni në grupin e ri parlamentar. Njerëzit e blerë nuk përfaqësojnë asgjë. Ndoshta jo sot, por nesër do të shkojnë aty ku parashikon ligji, nuk shpëton dot asnjë”, - tha Topalli.

Ngec ligji për gjykatën administrative

Kuvendi nuk mundi të sigurojë dot dje 84 votat për miratimin e projektligjit për Gjykata Administrative pas largimit të opozitës. Në këtë mënyrë ky projekt do të mbetet për t’u miratuar në legjislaturën e ardhshme parlamentare. Kreu i qeverisë, Berisha, dënoi largimin e opozitës nga seanca pikërisht kur pritej votimi i këtij projekti. “Nuk e do gjykatën ai, sepse nuk mund të mbajë atë kryesinë e partisë së tij si SHPK. Është fakt shumë i rëndë kur opozita braktis Kuvendin në seancën kur do të votohej ky ligj”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›