E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tapi për shtëpitë në tokë ish-pronarësh

12/05/2009  Udhëzimi, si do të veprojnë zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Regjistrimi për trojet e zonave kadastrale që nuk janë në sistemin e ri

Zyrat e hipotekës kanë nisur regjistrimin e lejeve të legalizimit dhe dhënien e certifikatave të pronësisë për ndërtimet informale. Në udhëzimin që u është shpërndarë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme parashikohen rastet kur zona kadastrale në të cilën ndodhet ndërtimi informal, nuk është në sistemin e ri të regjistrimit. Nëse ndërtimi është bërë mbi një truall në pronësi private të një subjekti të ndryshëm nga subjekti që legalizohet, pra në tokë ish-pronarësh, Agjencia rajonale e Legalizimit duhet të paraqesë një dosje me dokumentacionin përkatës. Mes të cilave duhet leja e legalizimit të objektit, gen-plani i objektit i hartuar si plan-rilevimi, një fragment i ortofotos të objektit të legalizuar, planimetria e kateve të objektit të legalizuar, si dhe çdo dokument tjetër teknik që shërben për përcaktimin e saktë të pasurisë së legalizuar. Gjithashtu, duhet regjistri i parcelës ndërtimore, kartela e regjistrimit të pasurisë dhe HTR-ja e përditësuar për të gjithë zonën informale.

Plotësimi i kartelës së pasurisë

Në rast se parcela ndërtimore është e barabartë me pasurinë e regjistruar, (shtet) duhet të kihet parasysh kalimi nga pronari privat në shtet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin. Pastaj bëhet kalimi nga shtet në pronarin që disponon lejen e legalizimit. Në të njëjtën kohë specialistët e hipotekave plotësojnë regjistrin hipotekor. Më pas bëhet lidhja e regjistrimit të ri me regjistrin hipotekor ku është regjistruar pronari privat. Në rastet kur parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar, (shtet), atëherë hapen dy kartela të reja. Specialistët e hipotekave në të njëjtën kohë plotësojnë regjistrin hipotekor me të dhënat e pasurisë së legalizuar, duke hapur dy reshta në regjistër, ku hidhen pasuritë e ndara të truallit. Kjo procedurë është e njëjtë për të gjitha zyrat e hipotekave në qarqet e vendit, për këtë rast specifik të ndërtimit informal në një truall ish-pronarësh.

Shtesat anësore të pallateve

Udhëzimi parashikon që në rastin e shtesave anësore të pallateve në këto ndërtime që nuk janë bërë në zona kadastrale të sistemit të ri të regjistrimit, do të hapen kartela për pallatin si pasuri më vete. Më pas do të hapet kartela për çdo njësi apartament, pra një regjistrim fillestar sporadik. Udhëzimi thekson se duhet të kihet parasysh kalimi nga pronari privat në shtet sipas VKM-së së shpronësimit. Më pas bëhet kalimi nga shteti në pronarin që disponon lejen e legalizimit. Specialistët e hipotekës në të njëjtën kohë plotësojnë regjistrin hipotekor. Në rastet e shtesave të pallateve në lartësi, pra për shtesat e kateve, do të regjistrohen kartelat për të gjitha pasuritë sipas apartamenteve, pra regjistrim fillestar sporadik. Leja e legalizimit do të regjistrohet në regjistrin hipotekor dhe do të bëhet lidhja me numrin e regjistrit ku janë hedhur të dhënat për pronësinë e pronarit të pallatit nëse ka qenë e regjistruar. Nëse pronësia e tokës është regjistruar vetëm në regjistrin hipotekor, pa kartelë pasurie leja e legalizimit do të regjistrohet në regjistrin hipotekor. Në fillim specialistët plotësojnë regjistrin hipotekor, duke bërë kalimin në shtet sipas VKM-së përkatëse. Pastaj bëhet kalimi nga shtet në pronarin e ri dhe lidhja e regjistrimit të ri me regjistrin hipotekor ku është regjistruar pronari privat.

Udhëzimi

Punonjësit e ZVRPP-ve kanë në duar udhëzimin që do të shkurtojë kohën e pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me dokumentin e pronësisë. Sipas udhëzimit, qytetari nuk detyrohet të paraqitet në zyrat e hipotekës. Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bëri thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportele, pasi të kenë marrë njoftimin nga zyrat rajonale të ALUIZNI-t, për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit.

Detyrimet

Më shumë se 600 milionë lekë janë shlyer deri tani nga qytetarët që kanë pasur ndërtime të paligjshme dhe kanë qenë pjesë e procesit të legalizimit. Shlyerja e detyrimeve është një proces që varet tërësisht nga vullneti i qytetarëve. Për ato objekte që tashmë janë kualifikuar për të marrë lejen e legalizimit, qytetarët mund paguajnë menjëherë dhe në këtë rast aplikohet një zbritje prej 20 për qind të detyrimit, prej rreth 800 mijë lekë, duke marrë parasysh që detyrimet për një objekt arrijnë në rreth 4 milionë lekë të vjetra, me çmimet e tregut.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›