Opozita braktis Kuvendin, mazhoranca miraton tri ligje in extremis

Opozita zbaton vendimin e marrë dhe braktisi dje seancën e Parlamentit në momentin e miratimit të ligjeve në rendin e ditës. Mazhoranca është vënë në vështirësi, duke miratuar draftet me limitin e kartonëve dhe duke thirrur “in extremis” deputetët që mungonin. Pas një seance maratonë prej tetë orësh, Kuvendi miratoi ligjin për faljen me limitin e votave që mazhoranca disponon në Kuvend. Me ndihmën e deputetëve të PDU-së, ka kaluar me 73 vota ligji për faljen, që i jep kompetenca ministrit të Drejtësisë për të përgatitur dosjet e të burgosurve që apelojnë kërkesat për falje dhe më pas është Presidenti ai që duhet të vendosë për faljen e të dënuarve. Kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, në emër të grupit të tij kuvendor pak sekonda përpara votimit nga foltorja e Parlamentit ka bërë me dije qëndrimin e Partisë Socialiste. “Grupi parlamentar i PS-së vendos marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, duke mos votuar asnjë ligj pa zgjidhur transparencën e zgjedhjeve”, tha Ruçi dhe më pas së bashku me 51 deputetët socialistë është larguar nga salla e Kuvendit. Në këtë mënyrë mazhoranca ka miratuar e vetme edhe projektligjet e tjera, siç është ai i ndërtimit të 6 poligoneve të reja për shkatërrimin e municioneve, projektligjin për inspektimin financiar publik. Këto projektligje morën vetëm 71 vota në Kuvend.
SeancaDeputetët socialistë braktisin seancën e Kuvendit, duke vënë në zbatim vendimin për të kushtëzuar sërish marrëdhënien me legjislativin, duke mos votuar asnjë ligj pa u plotësuar kërkesat e opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se “situata politike në vend po përkeqësohet. Hapat e rinj të mazhorancës, si ndryshimi i njëanshëm i rregullores së Parlamentit, apo ligji që do të votohet për inspektimin e financave, janë veprime për të kontrolluar institucionet e shtetit. Duke pasur parasysh se problemi i ngritur nga opozita 12 muaj më parë, në vend që t’i afrohet zgjidhjes, çdo ditë e më shumë mazhoranca po i largohet”. Opozita bën të ditur se kushtëzimi i marrëdhënies me Kuvendin është vetëm hapi i parë që do të ndërmerret në kuadër të rinisjes së aksionit politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara.
“Në marrëdhënie me Parlamentin, opozita do të ketë axhendën e saj brenda rregullores së Parlamentit. Ky është vetëm hapi i parë, pas kësaj hapa të tjerë do të vijnë për të bërë funksionale demokracinë në Shqipëri”, theksoi Ruçi nga foltorja e Kuvendit.
ProjektligjetGjatë seancës së djeshme, debat i veçantë u bë për projektligjin “Për inspektimin financiar publik” dhe projektligjin “Për faljen”. Opozita kërkoi rikthimin e projektligjit për shqyrtim në komisione, gjë që u kundërshtua nga mazhoranca, përfaqësuesit e të cilës vunë në dukje se tashmë opozita e ka votuar projektligjin në komision. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënvizoi se krahas rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike, ky projektligj është një hap i rëndësishëm në reformat e qeverisë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht plotëson detyrimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike të proceseve integruese. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për faljen”, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se ky projektligj vjen si nevojë e rinovimit të ligjit aktual, i cili është tashmë i vjetruar dhe i papërshtatshëm për rrethanat dhe kërkesat e kohës. Institucioni i vetëm që mund të ofrojë informacionin e saktë për personat e dënuar është ministria e Drejtësisë dhe pikërisht për këtë arsye është institucioni pranë të cilit duhet të depozitohen kërkesat për falje, vuri në dukje Nishani.
#