E Shtunë, 31 Tetor 2026

Christian Wulff, fillimi i vështirë i Presidentit të Gjermanisë

Imazhi i ri që duhet të krijojë dhe bindja e atyre që nuk e votuan

Pozicioni i Presidentit të Gjermanisë është pozicioni i shtetarit të lartë që qëndron mbi politikë. Por të mërkurën zgjedhja e Presidentit të ri të Gjermanisë, Christian Wulff, tregoi se vota për të në fakt kishte të bënte vetëm me politikën. Wulff vetë do të duhet që të punojë shumë për të ndryshuar mendimet.

Ai e konsideron veten një njeri “xhentil e paqësor” dhe sipas asaj që thotë vetë nuk ka dashur kurrë të jetë nga ata njerëz që duan vëmendje nga të tjerët. Edhe pse ka nga ata që nuk e besojnë në atë që thotë, është e lehtë të imagjinosh se sa ditë të vështira kaloi Wulff në Parlamentin e vendit, ndërsa priste që nga kandidat i mbështetur prej Merkelit të shndërrohej në Presidentin e Gjermanisë. Wulff, i zgjedhur nga Asambleja Federale në Berlin si Presidenti i 10 i pasluftës i Gjermanisë, priste që e mërkura të ishte një ditë e qetë dhe e paqtë, por në fakt doli krejt e kundërta. Në raundin e parë të zgjedhjeve Wulff dështoi që të merrte shumicën absolute, edhe pse koalicioni i Merkelit, që e zgjodhi si kandidat, kishte shumë vota që e mbështetën. E njëjta histori u përsërit edhe në raundin e dytë dhe vetëm në raundin e tretë, në orët e vona të së mërkurës, u mblodhën më në fund votat e duhura për ta mbështetur edhe zgjedhjen e Wulff. Ishte pikërisht rezultati që Merkel dhe ai vetë i ishin druajtur shumë. 51-vjeçari Wulff është bërë Presidenti më i ri i 6 dhjetëvjeçarëve të fundit të historisë së Gjermanisë. Dhe do t’i duhet që të provojë menjëherë se sa vlen në të vërtetë. Atij i duhet të tregojë se mund të dalë mbi konfliktin që shoqëroi gjithë mënyrën e zgjedhjes së tij, do t’i duhet që të ndërtojë ura komunikimi dhe të riparojë marrëdhënie të dëmtuara brenda koalicionit, që në fund të fundit e propozoi dhe pjesërisht e votoi. Konservatorët e Merkelit, së bashku me parterët e tyre të koalicionit, kishin shumicën e duhur në Parlament të mërkurën për të shmangur sagën e gjatë të votimeve, por një pjesë e madhe e deputetëve, madje shumë më tepër nga sa mendohej, e gjetën kandidatin e opozitës, Joachim Gauk, shumë më interesant se Wulff. Ai vetë tashmë President i vendit duhet që t’ua fitojë zemrat kundërshtarëve, por mbi të gjitha duhet që të bindë të paktën gjysmën e qytetarëve të Gjermanisë. Merkel zgjodhi Wulff, një ish-kundërshtar i saj, i cili prej shumë analistëve është konsideruar si pasardhësi i Kancelares, nëse ajo do të pësonte humbje të mëdha në parti. Ajo e cilësoi atë si “një President të ardhshëm të mrekullueshëm”, por Merkel në fakt, duke paraqitur këtë kandidat, kishte vënë ndërkohë një bast të rrezikshëm. Vota ndaj Presidentit ishte në radhë të parë edhe një votë besimi për vetë Kancelaren. Merkeli e pëlqeu kandidimin e Wulff, i cili që prej disa kohësh ishte në kërkim të ndryshimit dhe të gjithë e kishin kuptuar se ai ndihej “ngushtë” tashmë në detyrën e tij si guvernator i Saksonisë së Poshtme. Christian kishte kohë që ia kishte vënë sytë Berlinit. Zgjedhja më e mundshme për Wulff ishte kandidimi për postin e Presidentit që i erdhi i papritur pas dorëheqjes së ish-presidentit Kohler. Dhe befas interesi i tij përkoi me atë të Merkelit dhe kështu të dy nisën betejën për presidencën. Wulff u bë pjesë e kristian-demokratëve në moshën 15-vjeçare. Kur ishte 18 vjeç u bë lideri i të rinjve. Në vitin 1994, kur ishte 34 vjeç, ai sfidoi Shrëderin për postin e guvernatorit të Saksonisë së Poshtme, por pa sukses. U përpoq sërish në vitin 1998 dhe përsëri dështoi. Më pas Shrëder u bë Kancelar dhe në vitin 2003 Wulff e fitoi postin, për të cilin kishte kandiduar 3 herë rresht dhe në vitin 2008 fitoi një mandat të dytë. Nuk pati probleme me këtë detyrë dhe kishte figurën e një babai. Dikur konsiderohej si një nga djemtë e egër të partisë, ndërsa tani është i moderuar që është pro liberalizimit të tregjeve. Tashmë i duhet që të krijojë një imazh të ri.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›