E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita detajon propozimet - po shkon drejt sistemit proporcional

Reforma zgjedhore që po vërtitet sipas interesave të disa partive politike, ende nuk ka hedhur hapin e parë drejt reformimit strukturor të saj. Megjithëse, Kuvendi është detyruar që plot tre herë të shtyjë mandatin e komisionit për reformën elektorale, përsëri edhe në kushtet e mungesës së theksuar kohore, për faktin se kjo reformë duhet të përfundojë para samitit të NATO-s, në Bukuresht, partitë politike nuk po inkuadrohen dhe as të ndërgjegjësohen se nga mosrealizimi i në kohë e kësaj reforme, këputet fija e shpresës së Shqiërisë për marrjen e ftesës në NATO. Kësisoj, ç’do ditë e më shumë po shohim deklarata të vakta nga përfaqësuesit e forcave politike, që nuk sjellin asnjë lloj dritë zgjidhjeje, por thjesht ngelin në katedrat greke. Mazhoranca, ka deklaruar kohë më parë se është në pritje të sugjerimeve të opozitës përsa i takon sistemit elektoral, por nga ana tjetër, partia më e madhe në opozitë, PS, po del hapur se është e paaftë të hatrojë një raport ku të përmbledhë sugjerimet e saj që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit elektoral. Vetë Kryeministri Berisha ka deklaruar duke iu drejtuar opozitës se “do të miratojmë ç’do sistem që ju do të sillni”. Kësisoj, mazhoranca tregohet e gatshme që të adoptohet në sistemin tonë elektoral ai sistem që do të sillet nga opozita dhe që do të diskutohet nga përfaqësuesit e partive politike në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore. PS, më shumë sesa tek aleatët e tyre, duket se e kanë drejtuar vëmendjen nga PD-ja. Në këtë drejtim, sipas bashkëkryetarit socialist për reformën zgjedhore, Kastriot Islami, PS është në pritje të ndonjë bashkëveprimi nga ana e PD. Përse i takon sistemit elektoral ai shtoi se “ideja e përgjithshme e opozitës është fokusuar tek sistemi proporcional”. “Ka një deklarim implicit jo ekplicit në favor të një sistemi proporcional”, deklaroi Islami. Gjithashtu ai tha se pranohet pa hezitim edhe një takim mes Berishës e Ramës për këtë çështje. “Kemi kërkuar një bashkëveprim demokratik me PD-në në të gjitha nivelet. Deri në nivelin e dy kryetarëve, nëse do pranojë PD, ne jemi të gatshëm për bisedime”, theksoi Islami. Sigurisht që bashkëpunimi i dy forcave politike për reformën në drejtësi, duhet të përcillet edhe në konkretizimin dhe aktualizimin e punës për reformën zgjedhore. Mundësia e bashkëpunimit gjithsesi mbetet e hapur, por edhe koha nuk është shumë e mjaftueshme për ecejakjet politike të disa partive. Por, Partia Socialsite është futur në hijen e anomalive dhe krizës së paqartësive programore dhe prodhueshmërisë së vakët politike e njëkohësisht pranon se nuk është në gjendje të ndërmarrë një nismë hartuese dhe propozuese për reformën zgjedhore.
Mazhoranca: Referendum për reformën zgjedhore, vetëm nëse dështon kompromisi politik/Demokratët nuk janë shprehur në parim kundër referendumit popollor në lidhje me reformën zgjedhore. Megjithatë sipas deputetit të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, referendumi popullor do të ishte zgjidhje, vetëm në rast se nuk do të arrihej një kompromis i partive politike për reformën zgjedhore. “Vetëm nëse projektligji nuk do të kishte votat e mjaftueshme për të kaluar në Kuvend, atëherë referendumi do të shihej si zgjidhje, por vetëm pasi të jetë konsumuar si zgjidhje e parë, votimi në Kuvend. Rreferendumi nuk do të ishte zgjidhja më e mirë, për arsye se reforma zgjedhore nuk është problem i lidhur direkt me votuesit. Reforma zgjedhore nuk ka nevojë të kalojë me referendum popullor, pasi nuk është direkt e lidhur me elektoratin, por është më shumë problem i politikës”- theksoi në këtë drejtim deputeti Biberaj, duke shtuar se referendumi kërkon kohë dhe natyrisht ka një kosto të caktuar. Ndërkohë, sipas tij, pas arritjes
së marrëveshjes të grupeve politike, ligji i ri elektoral do të votohet në Kuvend. Ndërkaq kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane,
Arjan Madhi, deklaroi dje se teknikisht është e pamundur që të bëhet përcaktimi i sistemit zgjedhor nëpërmjet një referendumi. Siaps tij ajo për
të cilën politika sot nuk po gjen zgjidhje është pikërisht çështja e sistemit, për të cilin vlerësoi se më pak se kushdo në këtë debat politik, mund të përfshihej Avokati i Popullit. Lidhur me deklaratën e zotit Ermir Dobjani, për zhvillimin e një referendumi për zgjedhjen e sistemit zgjedhor, Madhi u shpreh se “Avokati i Popullit duhet t’i largohet konsideratave që kanë të bëjnë me këta elementë që janë të mirëfilltë politik, lidhur me percaktimet e reformës zgjedhore”. “Pra, sistemi në të gjithë teoritë e botës është një element politik dhe në këtë kuptim nuk mendoj se është në autoritetin dhe përgjegjësitë e Avokatit të Popullit që të shprehet mbi sistemin. Ndërkohë, politika shqiptare ka një vullnet absolutisht të shprehur qartë për reformën zgjedhore. Përsa i përket problemeve të tjera që lidhen me administrimin e procesit, sigurisht që Avokati i Populllit është i mirëpritur për sugjerimet e tij. Do të ishte absurde, se vetë referendumi do të kishte alternativat po-jo, ndërkohë që sistemet zgjedhore janë me dhjetëra. Do të ishte krejt e pamundur teknikisht qoftë dhe nëpërmjet referendumit të bëhej një përcaktim i sistemit”- konkludoi kreu i deputetëve republikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›