Rama sulmon qeverinë pse po zbaton reformën e decentralizimit
Shkak për këtë sipas kryesocialistit është mosmbështetja financiare nga ana e qeverisë si dhe disa klauzola ligjore që siç e pohoi edhe vetë Rama nuk i mundësojnë asnjë drejtuesi vendor të ndërmarrë spastrime politike në këto institucione
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëherazi kryetari i Bashkisë së Tiranës ka kërcënuar dje se të gjitha njësitë vendore të drejtuara nga socialistë në mbarë vendin do të refuzojnë që të marrin nën menaxhim drejtoritë e ujësjellës-kanalizimeve. Shkak për këtë sipas kryesocialistit është mosmbështetja financiarëe nga ana e qeverisë si dhe disa klauzola ligjore që siç e pohoi edhe vetë Rama nuk i mundësojë asnjë drejtuesi vendor që të ndërmarrë spastrime politike në këtë institucion, për ta mbushur më pas me anëtarë dhe simpatizantë të majtë. “Sfidat e pushtetit vendor janë sfida që nuk kërkojnë ideologë e as demagogë në ushtrimin e mandatit të drejtuesit apo këshilltarit vendor, ku s'ka fare vend për të humbur energji e kohë duke tundur flamujt e partive” - iu drejtua Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të zgjedhurve vendorë të PS-së dhe partive të tjera të majta, të pranishëm në ambientet e Pallatit të Kongreseve, me rastin e fillimit të debatit vjetor për mirëqeverisjen vendore, ku u prezantua i ashtuquajturi “Kodi i Praktikave të Mirëqeverisjes në Pushtetin Vendor”, një dokument që është konceptuar si një shportë principesh për mirëqeverisjen në Pushtetin Vendor. Duke marrë fjalën në këtë takim, gjatë një fjalimi të lexuar të gjithin në një ekran të fshehtë, sikur të ishte një drejtues televiziv, e jo një lider partie, kreu socialist vuri në dukje se “të gjithë duhet të shkojmë drejt politikës së re, bashkimit të shqiptarëve përtej politikës”. Pasi e konsideroi si mjaft të rëndësishëm debatin e sotëm, Rama u shpreh se për socialistët e shekullit të ri, është jetike të jemi lokomotiva e një procesi transformimi rrënjësor të mendësive të vjetra. Në këtë drejtim, ai u shpreh se problemet e shqiptarëve nuk janë as të majta e as të djathta, por “janë probleme të krijuara nga një politikë e vjetër, pa vizion e programe”. “Nga një politikë e vjetër që pas vetëdeklarimit majtas e djathtas, ka fshehur të gjithë shterpësinë e vet të idealeve e të ideve, duke i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit. E majta dhe e djathta nuk janë ndarë në vizione e programe, po në klane politike të angazhuara në një luftë vulgare për pushtet. Politika e re që ofron PS është ajo e solidaritetit njerëzor, ndaj dhe Kodi i Praktikave të Mirëqeverisjes në Pushtetin Vendor flet më hollësisht
për të gjitha aspektet themelore të vetëqeverisjes”- tha ai. Fondacioni
“Qemal Stafa” publikoi edhe një Manual Trajnimi, i cili do t'i shpërndahet
të zgjedhurve vendorë, dhe ku trajtohen çështjet e përfshirjes së publikut, komunitetit vendor dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në vendimmarrjen lokale.Në hartimin e këtyre principeve, Fondacioni “Qemal Stafa” ka marrë
në konsideratë jo vetëm praktikat më të mira në pushtetin vendor, por edhe dokumentat më të rëndësishëm të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian.
Kryebashkiakët socialistë vlerësuan pak kohë më parë rritjen e grantit qeveritar për Vlorën/Dje kryebashkiaku ka akuzuar disa herë qeverinë për fonde sipas tij me pikatore që i akordohen çdo vit pushtetit vendor. Për të disatën herë Rama përdori shembullin e kryeqytetit të Moldavisë, Kishiniev që sipas tij ka një buxhet vjetor 3 herë më të lartë se bashkia që ai drejton prej afro 8 vjetësh, megjithatë harroi që të përmendë pengesat artificiale që ai ka krijuar ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar veprimtarinë financiare të njësisë më të madhe vendore në Shqipëri. Ngjashëm më oponencën e verbër, e shoqëruar kjo hiperbolizimin e skajshëm të çdo akuze që ai ndërmorri në vjeshtën e vitit 2006, kryetari i Bashkisë së Tiranës, u ankua dje gjatë fjalimit të tij të gjatë se “pushtetet vendore të drejtuara nga opozita po diskriminoheshin”. Kur e vërteta qëndron ndryshe në fakt. Në buxhetin e këtij viti granti për pushtetin lokal është rritur mesatarisht me 35-40 përqind dhe kjo është pohuar nga vetë kolegët dhe miqtë e Ramës në rrethe siç ka qenë para disa kohësh rastet e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, atij të Gjirokastrës Flamur Bime, si dhe të Elbasanit, Qazim Sejdini. Ky i fundit gjatë vizitës së zhvilluar gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar në qytetin bregdetar nga kryeministri Berisha, pranoi publikisht se pavarësisht ngjyrave të ndryshme politike qeveria qëndore kishte rritur ndjeshëm grantin e investimeve për këtë bashki. Gjithsesi Rama është treguar dje cinik teksa i ka cilësuar si “fantazi” këto grante në një kohë që ngashërrehej pa fund se pse pushtetit lokal nuk i njihet e drejta e regjistrimit të pronës së paluajtshme, një domen ky ku Bashkia e Tiranës edhe pa këtë të drejtë ka abuzuar jo pak në dëm të dhjetëra qytetarëve. Leonard Quku