E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e shumëzon veten me zero

31-01-2012 / Nga Lavdrim Lita

Kisha 7 dele. Tre i shkëmbeva për ca grurë. Tre të tjerat ia dhurova vajzave të mia për pajë; një ma kanë vjedhur. Sa dele më mbetën? Nuk është një pyetje kurth. Çuditërisht, për një pjesë të mirë të historisë së tij njeriu nuk ka pasur instrumentet matematikë për t’ju përgjigjur kësaj pyetje. Provat e para historike të llogaritjes gjenden në Egjiptin e  lashtë, në Mesopotami dhe në Persinë e 5 mijë vjetëve më parë.
Megjithatë, edhe duke përdorur një përkufizim bujar, koncepti matematik i asgjësë – zeros – ekziston prej 2500 vjetësh. Dhe atëherë, qytetërimit që e zbuluan nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Në Europë zhvillimi i saj ka qenë i bllokuar për shekujt nga mënjanëria, nga miopia dhe frika. Në Shqipëri duket se e ka zbuluar Edi Rama, megjithëse, nuk është në gjendje ta kuptojë.
Ka ca kohë që prodhon sipërmarrje politike që shumëzohen me zeron duke dhënë si rezultat asgjënë, zeron. Prej humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009, Edi Rama ka nisur një fushatë për të ardhur në pushtet me çdo mjet dhe çdo mënyrë. Ai ka dhënë urdhër të bojkotohet pa arsye parlamenti prej deputetëve socialistë, ka bërë mbi 1000 mijë protesta, ka bllokuar akse rrugore me njerëz dhe goma të djegura, ka çuar në grevë urie mbi 200 militantë dhe deputetë, organizoi demonstrata të dhunshme që kulmuan me gjak me 21 janar 2011, etj. Të gjitha këto kanë pasur si synim ardhjen në pushtet pa votë demokratike.
Kuptohet vetiu të gjitha këto sipërmarrje aspak serioze kanë pasur një fund të ditur sepse janë shumëzuar me zero nga maxhoranca dhe qeveria Berisha. Politika opozitare e Edi Ramës u shumëzua me zero edhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët me 8 maj 2011 shumëzuan me zero alternativën e “Aleancës për ndryshim” kundrejt alternativës “Aleanca për qytetarin”, kjo e fundit pati një bilanc plebishitar me 142 mijë vota plus.
Sakaq Edi Rama nuk duhet nënvlerësuar sepse ka në dorë një armë shumë të rrezikshme, dhe nuk është kursi i ri. Edi nuk ka një projekt politik ose një projekt kulturor, nuk ka një strategji politike a vizion, nuk ka një hapësirë politike të përkufizuar, pasi ai duket se është përtej të majtës dhe së djathtës. Ecën në të shumtën e rasteve për inerci përtacore, carpe diem. Bile nuk ka dëshirë të punojë, nuk ka konsistencë filozofike. Paçka se është pikërisht kjo arma e tij më e rrezikshme: Rama është vakuumi intelektual që të tërheq poshtë, sepse është gropësirë si ngushtica mesh Shilës dhe Karibdës. Ai të tërheq për xhakete sepse do të të zhveshë nga civilizimi. Rama mundi të magnetizojë afër vetes të gjithë ato persona me përbërje alumini, të frustruar nga mospërmbushja e pritshmërisë personale, karriera të paplotësuara apo disidenca politike, sepse ai u vetëofrua si një medium i ftohtë, pa ngjyrë e pa shije. Atij i pëlqejnë më shumë individët me konsistencë intelektuale prej alumini sepse janë përcjellës më të mirë të mbretërisë së narcisit: Ramastan. Nëse i hidhni një sy nga afër asaj që quhet “Opozita e Bashkuar” do të shikoni njerëzit me përbërjen molekulare dhe motivet më të ndryshme aksiologjike (vlerore) sepse i janë bashkuar paradës opozitare, kësaj bande politike që propozon veç anakronizma atavike. Për më shumë, duke qenë një xhep me astar a-politik, ai është aq i gjerë sa mund të mbajë brenda komunistë, renegatë të djathtë, social-demokratë, jakobinë, spartakë, arrivistë, etj. Boshllëku i tij është sot një burim i rëndësishëm fitimi. Ndonëse kjo nuk vlen veç për opozitën e bashkuar nën hijen socialiste. Rama tërheq si magnet fuqitë e forta, të mëdhenj ose të vegjël, opakë ose okultë, sepse ai nuk ka një projekt të tijin, nuk ka themele të forta ose vlera të panegociueshme, nuk ka asnjë bërthamë propozimesh ose alternativë mendimi, edhe atë pak që e kishte e delegjitimoi si “Ndryshe”. Rama po shfaqet si një qefin i mirë për të mbështjellë të majtën shqiptare, si qendër dhe formë e anti-berishizmit, meqenëse s’ka asnjë ide të tijën, por duke qenë një pacient që ka viruset e idetë e të tjerëve, ai është aleat i kujtdo. Mjaft që të realizojë synimin e marrjes së pushtetit. Leksiku i Ramës është gjindshëm jo në doracakët e politologjisë, por tek gjimnazistët e frustruar. Me retorikën ai bën që edhe idiotët të shpresojnë se janë inteligjentë dhe se kuptojnë nga politika.
Gjithashtu kohët e fundit tek bërja politikë e Ramës po shikohet një dukuri shumë interesante. Çoroditja intelektuale e ka çuar të komentojë në mënyrë telegrafike çdo deklaratë të kryeministrin Berisha, me një ngutje të paparë, pa sugjeruar një alternativë qeverisë, asnjë program politik, as një platformë intelektuale, por kapet pas fjalëve si një grua e ligë. Si platformë ka mohimin dhe propagandën infantile të demaskimit të kundërshtarit, i zbulimit të hiles, etj.
Mirëpo kjo teknikë mund të shërbejë për të ushqyer militantët, të cilët çdo gjë që thotë Rama iu duket si fjalët e perëndisë mbi tokë. Çdo njeri me dy mend në kokë do ta kishte të vështirë të gjykonte propozimet e kësaj opozite të atashuar pranë ambasadës zero. Sigurisht emancipimi me konceptin e zeros do kohë të kuptohet andej, në furrikun socialist. Kuptimi se janë zero do t’i çlironte shumë energji të narkotizuar në opozitën shqiptare. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›