Bamir Topi, paraprakisht interesohet për pronat e veta

Halli kryesor i presidentit në detyrë Bamir Topi nuk është përfundimi me korrektësi i mandatit, por përdorimi i tij për të marrë pronat, në kapërcim të hallkave procedurale. Në muajt e fundit, ai po kërkon t’i zhvasë sistemit të drejtësisë edhe një haraç të mbramë, por mesazhi politik i kërkesës së presidentit për disa troje më shumë, është ai i shkëmbimit politik edhe të Aleancës Kuqezi, edhe të plevicës politike që mund të krijojë së afërmi, për pasuritë që mund t’i sigurojnë atij pensionin
Mesazhi: “Partinë e shes, pronat jo...”
Përballë pronave të gjithë tundohen… Edhe Presidenti i Republikës. Se sa “e shenjtë” është prona edhe për Presidentin Bamir Topi, e tregon më së miri një çështje e hapur prej rreth gjashtë muajsh në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës nga rreth dy duzina e gjysmë, familjarë të Presidentit, që kërkojnë “shfuqizimin e vendimit nr. 203, datë 26. 06. 2009 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (ZRKKP) të Qarkut Tiranë; si edhe pezullimin e ekzekutimit të aktit administrativ dhe veprimeve me pronën të ZVRPP Tiranë”. Adresimi i një problemi pronësie, që kreu i shtetit, por edhe kreu i ekzekutivit të Gjyqësorit, ka zgjedhur ta bëjë në gjykatë, e ka një të mirë. E mira qëndron në “besimin” që Presidenti ka te Drejtësia, duke sfumuar zërat dashakeqës e konsideratat negative që kë në këtë drejtim, bie fjala edhe “aleati” i tij politik Edi Rama..., i cili për hir të së vërtetës, ka thënë e ç’nuk ka thënë për Gjyqësorin dhe njerëzit e nominuar të tij, por që ende nuk ka thënë asgjë për kreun e ekzekutivit të këtij Gjyqësori..., që për analogji, i bie të jetë “aleati” i tij politik “në pritje”, Bamir Topi. Nejse...! Edi Rama ka një mundësi me këtë rast, të marrë një mësim nga “besimi” i Bamir Topit te Drejtësia. Por...?! ... Problemi këtë herë qëndron paksa ndryshe..., për të mos thënë se topi kalon në fushën e Topit. Dhe problemi lidhet me afeksionin që Bamir Topi ka ndaj “pasurive të patundshme”..., afeksion ky që kalon kufijtë e imagjinatës..., biles deri në ato limite sa anektoda të ndryshme, si pjesë e folklorit letrar që tregohen rëndom lart e poshtë nëpër Tiranë (të paktën), “personazhin” Bamir Topi e tregojnë “negativ”, deri në atë farë mase sa, si partizan i bërjes të vetën e shprehjes “kërraba tërheq gjithmonë nga vetja”, me aq sa ka mundur dhe me aq sa ka pasur në dorë “i ka bërë të vetat” të gjitha “Top-pasuritë e patundshme”. I familjarizuar, jo aq me të qenit “personazh” anektodash, këtyre “tregimeve të prozës popullore kryesisht të shkurta, të këndshme me humor të pasur, që tregojnë të metat njerëzore, dobësitë, sjelljet, qëndrimet e njerëzve të privilegjuar…”, se sa me faktin se sa “e shenjtë” është prona, pas “besimit” të rikthyer të Presidentit të Drejtësia, më shumë duhet të ndjehen të kërcënuar, jo aq rreth dy duzina e gjysmë familjarë të Presidentit, të cilëve ju duhet të “përballen” me Drejtësinë..., që Bamir Topi “të bëjë të vetat” edhe ato “pasuri të patundshme” që ende nuk i ka futur në “Top-inventarin” e pronave të tij, se sa “pronarët e përkohshëm” të partisë “në pritje” të Presidentit të Republikës. Përballë “problemit të madh” që Bamir Topit i ka dalë, jo aq me Drejtësinë, se sa me “pasuritë e patundshme” që ende nuk i ka futur në “Top-inventarin” e pronave të tij, ekziston rreziku dhe kërcënimi i madh që ai për pronat të shesë partinë... dhe ta lërë Kreshnik Spahiun..., të këndojë. Në këta pesë muaj të fundit të mandatit si President, “shenjtëria” e pronave, kuotohet në koeficientë shumë më të lartë, aq sa “kërcënimet” në formë parabole apo”me qitje të largët” , për parti të re “të djathtë” nga ana e Bamir Topit, duhet ti marrë më shumë se kushdo seriozisht Kreshnik Spahiu..., i cili po e lejon veten të keqpërdoret nga Bamir Topi, për “pasuritë e patundshme” të Bamir Topit... Nuk ka më, “partia mbi të gjitha”, por ama ka, “pasuria mbi të gjitha”...
...