Opozita kërkesë Kuvendit: Të ngrihet Komision i Posaçëm Hetimor për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano

Opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, 35 deputetë të opozitës kërkojnë kontrollin e ligjshmërisë së procedurave për miratimin e projektit, ndërtimit të portit të ri dhe shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit.
Afati i këtij komisioni kërkohet të jetë 6 mujor dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë t’i përkasin PD-së dhe 6 PS-së.
Opozita ngre 9 shqetësime, përfshirë përjashtimin e shoqërisë që do të realizojë projektin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, vlera e pronës së dhënë nga shteti, ku sipas opozitës shteti ka dhënë më shumë nga çfarë mund të fitonte.
Po ashtu, opozita thotë se një operatori ekonomik privat iu dhanë të drejta dhe privilegje përmes “ligjit special”, duke akuzuar se një gjë e tillë u në pa asnjë lloj gare dhe konkurrence.
Sipas opozitës, diskutimi dhe miratimi i këtij projekti ka kaluar me “mungesë të plotë” transparence, teksa po ashtu shtojnë se nuk ka patur konsultime me qytetarë, biznese e ekspertë.
/rtsh.al/