E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Opozita kundër hapjes së pikave të basteve, qeveria nesër dëgjesë publike! Tabaku: Çfarë e ndryshoi mendjen e Ramës?

Rihapja e pikave të basteve është kthyer në një pikë diskutimi, ku qeveria kërkon të bëjë një dëgjesë publike për to, ndërsa opozita është shprehur kundër tyre.  Ditën e nesërme në orën 10.00 qeveria do të zhvillojë një dëgjesë publike që organizohet nga Presidenti i Komiteti Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.

Nga ana tjetër opozita është kundër kësaj ideje. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se kryeministri Edi Rama duhet të sqaroj se çfarë e beri të ndryshojë mendjen për rihapjen pikave të bastit, të cilat i mbylli në 2018 me arsyetimin se “gjithë pronarët e basteve qenë kriminelë”.

“Njeriu që citonte Kuranin për të këqijat e basteve ka lajmëruar diskutimin për rihapjen e tyre. Jam kurioze të di si do ia justifikoje të tijve ndryshimin e mendjes?! Po shqiptarëve që në tetor 2018 u tha se gjithë pronarët e basteve qenë kriminelë?! Çka ndryshuar nga dje?! ”, shkruan Tabaku.

Edhe deputetja demokrate Dhurata Çupi akuzoi kryeministrin Rama se me hapjen sërish të basteve tregon se nuk ka në axhendë interesin publik

“Dy ditë më parë paralajmërova se pas publicitetit të qeverisë për suksesin e kampiones Luiza Gega po fshihej projekti për rikthimin e basteve sportive. Nesër kryeministri zhvillon takimin e parë publik për këtë çështje pa u bërë akoma 4 vjet nga ndalimi me ligj i basteve sportive. Koha po tregon se kryeministri i vendit nuk ka në axhendë interesin publik. Edi Rama vepron si pjesë e lojës së madhe multimiliardere të basteve sportive, jo si kryeministër. Së shpejti do të shohim shkërmoqjen finale të premtimit të tij madhor për mbylljen me ligj të basteve sportive, përfshirë edhe ato dixhitale”, shkruan Çupi.

Pak ditë më parë kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli i kërkoi qeverisë që pikat e basteve që janë në treg të licencuara të bëhet me ligj që një pjesë e të ardhurave të shkojë për të mbështetur sportin dhe rininë. KOKSH-i sqaron se me këtë propozim nuk kërkon rikthimin  e kazinove elektronike apo sallave të bingos, por rregullimin e pikave që janë të licencuara aktualisht.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›