E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita maqedonase: VMRO-DPMNE përdor shqiptarët për zgjedhjet

MAQEDONI – Të gjithë banorëve të Pogradecit dhe të Korçës që kanë marrë pasaporta maqedonase do iu kërkohet që të votojnë në zgjedhjet lokale, që priten të zhvillohen në vendin fqinj në vitin që vjen.

Sipas opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE do të shfrytëzojë ata si votues për të siguruar fitoren në komuna të caktuara. Ish-kryetari i Komunës së Resnjës, Dimitri Buzalevski tashmë në opozitë, i cili do të jetë kandidat i ardhshëm për qytetin e Resnjës ka pohuar se “organizma qeveritare në pushtet po organizojnë këto ditë dhe në vazhdim, ashtu siç ka ndodhur vite më parë, që të pajisin shtetasit shqiptarë me pasaporta maqedonase”. Buzalevski ka akuzuar se po organizohet kriminalitet me shpërndarjen e dokumenteve personale për shtetasit e Shqipërisë, të cilët do të shfrytëzohen si votues në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka theksuar se në rajonin e Resnjës dhe Prespës janë evidentuar qindra raste, ku shqiptarë të ardhur andej kufirit kanë rregulluar dokumentet personale, përmes procedurave të thjeshtësuara.

“Apeloj që të ndërpritet ky kriminalitet që paraqet shkelje serioze të Kushtetutës Maqedonase, por njëkohësisht edhe për shtetasit shqiptarë, sepse kjo gjë është krejt e pandershme”, ka deklaruar Buzalevski. Pohohet se vetëm në rrethin e Pogradecit janë pajisur me pasaporta maqedonase mbi 1100 qytetarë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›