Opozita ndez flakadanët, Balla: Vepër penale, nuk do e dëmtoni imazhin e Shqipërisë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në fjalën e tij mes kaosit e tensioneve në Kuvend, ka deklaruar se ndezja e flakadanëve nga deputetët demokratë përbën vepër penale, duke i paralajmëruar ata për të marrë në konsideratë se do të mbajnë përgjegjësi mbi veprimet e tyre në Parlament.
Balla u bëri thirrje disa prej deputetët demokratë, duke u kërkuar të mos bëhen vegël e një person që prej 33 vitesh ka mbajtur peng vendin.
“Përkeqëson marrëdhënien tuaj me njerëzit. Secili prej jush ka detyrën të ushtrojë mandatin që iu ka ngarkuar populli me përgjegjësi.
Thirrja ime: mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu të vetëm që ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh. Ajo që po ndodh s’ka lidhje me parlamentarizmin. Përse nuk mblidhni 28 firma dhe kërkesën ta çoni në Gjykatën Kushtetuese, kur kërkoni ngritjen e komisioneve. GJK ua ka rrëzuar kërkesat.
Shkoni çojeni kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe në rast se ajo do vendosë që ju është mohuar e drejta, jam plotësisht dakord. Detyra e Kuvendit është zbatimi i kushtetutës, i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ne nuk i vëmë kurrë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Na ka ngarkuar Gjykata Kushtetuese që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore. Është e rëndë që deputetë të opozitës të përdoren për interesin personal të një individi. S’kam keqardhje për individin, por për imazhin e keq që ju doni t’i bëni Kuvendit. Përpjekja juaj për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, është e dështuar. Deputetët që përfshihen në akte të paligjshme, vendosja e flakadanëve, është vepër penale”, tha Balla.
Ministri theksoi se Shqipëria mbylli muajin tetor me 9 mi;ionë turistë të cilët e kanë vizituar atë, duke garantuar se kjo shifër do të shkojë deri në 10 milionë deri më 31 dhjetor. Duke ju drejtuar deputetëve demokratë, Balla theksoi se nuk do munden që të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
“Shqipëria sot mbylli tetori me 9 mln vizitorë turistë dhe deri më 31 dhjetor do ketë plot 10 mln turistë. Ai njeri ka 33 vjet që është munduar të dëmtojë sa të ketë mundësi imazhin e Shqipërisë. Ta harroni se Shqipëria do kthehet pas”, tha Balla.
/rtsh.al/