Ligji i së Drejtës, Gjykata dhe Mosbindja Civile
Mbas farsës së rradhës në Tiranë, opozitës shqiptare duket se alternativat për veprim sa vijnë e po i ngushtohen. Një alternativë është ajo e protestës dhe mosbindjes civile. Kjo alternativë, garanton drejtësi dhe emancipim. Alternativë e dytë është Duroni!. Thonë se durimi është virtyt, por për shqiptaret fjala Duroni dita-ditës po merr kuptimin e fjalës Kurrë. Alternativa Duroni garanton padrejtësi dhe zhdukje të opozitës. Me zhdukje duhet kuptuar një metamorfozë që finalizohet me shfuqizim politik. Një opozitë e pafuqishme politikisht është një opozitë vetëm në emër. Një vend me opozitë vetëm sa për emër, mund të jetë po aq demokratik sa ishte Republika Demokratike e Afganistanit, Republika Demokratike e Etiopisë, Republika Demokratike e Gjermanisë, Republika Demokratike e Somalisë, Republika Demokratike e Vietnamit dhe Republika Demokratike e Jemenit. Nëse opozitarët shqiptarë zgjedhin opsionin e parë, para se të përballen me dhunën shtetërore do të përballen me dilemën morale se: nëse drejtësia shpëtohet vetëm duke shkelur ligjin, a duhet shkelur ligji?
Gjithnjë e më tepër në shoqërinë shqiptare po spekullohet se e drejta përfaqësohet në mënyrë absolute nga vendimet e gjykatave dhe ligjeve të cilave u referohen. Gjithnjë e më tepër po spekullohet se nënshtrimi ndaj vendimeve të gjykatave është i domosdoshem në sigurimin e një shoqërie demokratike. Por, a është e vërtetë kjo? Zhvillimet historike në vende me demokraci të konsoliduar e hedhin poshtë këtë spekullim, i cili duket se nuk perfaqëson gjë tjetër veçse justifikim për padrejtësi dhe përmbysjen e demokracisë.
Spekullimi i mësipërm shërbeu si themel mbajtës për retoriken kundra transparencës së zgjedhjeve të 2009-s. Spekulluesit duke përdorur retoriken e ligji dhe vetëm ligji-t shembën transparencën e cila është një nga shtyllat mbajtëse të ligjshmërisë së pushtetit demokratik. Sot po përballemi me të njëjtët spekullues që përdorin të njëjtën retorikë përsëritëse, se opozita dhe shoqëria shqiptare jo vetëm që duhet t’u bindet vendimeve dhe ligjeve por, as nuk duhet ta cojë nëpër mend se vendimet dhe ligjet mund të gjykohen moralisht. Për pushtetin në fuqi, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave vetëm duhet t’u nënshtrohesh dhe kush bën të kundërtën kryen blasfemi dhe nuk ka se si të mos jetë komunist, tradhëtar, antishqiptar, antiamerikan, etj.
Kushdo që ndjek debatet në mediat shqiptare rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, nuk mund të mos vërejë faktin se ato kryen brenda disa këndvështrimeve të përcaktuara analitike. Këndvështrimet që spikatin në debate dhe analiza janë ato me karakter ligjor, politik dhe procedurial. Për veprimet e marra nga Kolegji, gjithnjë e më tepër mënjanohet këndvështrimi analitik me karakter moral. Duket sikur shqiptarët gjithnjë e më shumë po bien pre e spekullimit se vendimet e gjykatave qëndrojnë përmbi gjykimin moral. Por a është e vërtetë kjo?
Historia na tregon se moralet kurrsesi nuk e humbasin forcën gjykuese dhe karakterin absolutist në lidhje me përcaktimin e së drejtës. Antropologjia na mëson se të vetmet veprime që u shmangen gjykimeve morale njerëzore janë veprimet e atij që shumë prej nesh e konsiderojnë si krijuesin e vetë moraleve: Zotit.
Ishte Zoti që krijoi njeriun apo njeriu Zotin? Duket se arsyeja përse Zoti vazhdon të ruajë imunitetin e tij kundrejt gjykimeve morale njerëzore qëndron në pamundësinë tonë për t’i dhënë përgjigje kësaj. Por a ka llogjikë në atë që edhe gjykata të gëzojë këtë imunitet kundrejt gjykimit moral? Praktika njerëzore tregon se nuk ka mundësi, sepse të gjithë e dimë se kush e krijoi gjykatën. Atëherë si shpjegohet orvatja dhe deri diku suksesi i qeverisë për t’i vendosur vendimet e gjykatave përmbi gjykimin moral të shoqërisë shqiptare?
Përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet në orvatjen e pushtetit për t’i imponuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë shoqërisë shqiptare një perceptim djallëzor për gjykatat i cili është sa i shthurur në llogjikë po aq tiranik në karakter. Kur dëgjon retorikën e pushtetit dhe besnikëve të tij mediatikë, të krijohet përshtypja se në Shqipëri, në vend që gjykatat të ishin krijuar në funksion të popullit, është populli ai që është krijuar në funksion të gjykatave. Gjithashtu pushteti mundohet t’u mbushë mendjen shqiptarëve që të mendojnë se pikërisht nënshtrimi ndaj gjykatave është themeli i qytetërimit perëndimor. Në të vërtetë themelet e qytetërimit perëndimor gjenden në respektimin e gjykatës dhe ligjit të së drejtës. Por në Shqipëri, gjykatat vendimet i marrin në bazë të ligjit dhe jo ligjit të së drejtës. Distanca morale midis ligjit dhe ligjit të së drejtës është e gjerë sa oqeani Atlantik. Gjithashtu duhet patur parasysh se në botëkuptimin perëndimor respekti dhe nënshtrimi qëndrojnë shumë larg njeri-tjetrit. I pari konsiderohet si vlerë që duhet përqafuar, kurse i dyti si ves që duhet mënjanuar.
Nga një pikëpamje historike qytetërimit perëndimor nuk është asgjë tjetër përveçse një seri kronologjike kryengritjesh dhe tensionesh të vazhdueshme kundër ligjesh në fuqi. Mund të themi se vetë rrënjët e qytetërimit perëndimor gjenden tek e jashtëligjshmja: Kisha Katolike me të cilën për një kohe shumë të gjate do të përfaqesohej vetë perëndimi, për 313 vjet ish vetë e jashtëligjshme. Në vitin 1215 Mbreti Xhon i Anglisë, pasi humbi betejat me Baronët feudalë pranoi të firmosë Magna Kartën. Firma e tij anulloi traditën ligjore mijravjeçare të monarkisë absolute. Në vitin 1521 Martin Luteri, pasi refuzoi të zbatonte ligjet e Kishës Katolike u shpall i jashtëligjshëm prej saj. Si pasojë e shkeljes së ligjeve që ai i konsideronte të padrejta, sot në bote ka 650,000,000 besimtarë protestantë. Në 1775 kolonët anglezë në Amerikën Veriore shkelën ligjin e Kurorës Mbretërore dhe krijuan Shtetet e Bashkuara. Në 1789 francezët shkelën ligjet e Monarkisë Burbone dhe krijuan Europën moderne. Dyqind vjet më vonë gjermanët shkelën ligjet e komunizmit dhe krijuan Europën demokratike.
Për një njeri të cilit i mungon në botëkuptim koncepti i ligjit të së drejtës, historia europiane nuk është gjë tjetër vecse një libër horrori. Për të Europa është e mbushur me popuj barbarë që prodhojnë ligje për t’i shkatërruar më vonë. Europa për të është një vend i frikshëm ku nuk duhet shkelur kurrë. Një njeri i tillë, ligjit i jep atributet e pronarit kurse vetes i jep atributet e skllavit. Europa për skllavin është një vend i pasigurtë. Në retorikën e tij do të gjeni fjalët ligji dhe vetëm ligji; respektimi dhe zbatimi i ligjit; gjykata; vendimi i gjykatës; hetim; kodi ligjor; prokuroria; kodi elektoral; afati kohor. Do të gjeni dhe plot e plot të tjera si kombinim midis fjalëvë të lartpërmendura.
Të vetmen fjalë që do ta dëgjoni shumë rrallë nga goja e një njeriu të tillë është fjala drejtësi. Nuk do ta dëgjoni shpesh sepse truri i tij është i paaftë ta perceptojë drejt këtë ide. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se drejtësia rrënjët i ka te morali. Por për të, morali është concept bosh. Platoni thotë se gënjeshtra është arti i skllavit. A mund ta kuptojë dhe si rrjedhojë ta vlersojë drejtësinë një njeri që gënjeshtrën e ka kthyer në art dhe moralin në hiç? Sipas Platonit, jo. Duke marrë parasysh se në Athinën e Platonit kish shumë skllevër ai detyrimisht duhet t’i ketë njohur mirë. Kështu që opinionin e Platonit për këtë çështje unë e marr si të mirëqenë. Por, nëse një njeri i tillë është i paaftë ta percpetojë drejtësinë, atëherë si shpjegohet që ajo është aktive në retorikën e tij? Duhet shpjeguar se drejtësinë ai e kupton të shtrembëruar. E kupton të shtrembëruar sepse e shikon si të pavarur nga morali. Për të drejtësia është produkt. Produkt të cilin e prodhon gjykata.
Në fakt gjykata
