E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita përballë universiteteve

Nuk është lajthitje. Edhe autori i këtij shkrimi e di që opozita është e tillë, pra opozitë, vetëm nëse është përballë qeverisë dhe jo universiteteve. Në Shqipëri gjërat janë ndryshe. Varësia e universiteteve shqiptare nga Qeveria është bërë një kusht ekzistencial për universitetet, aq sa edhe i detyron këto të fundit të përçudnohen duke u bërë një fytyrë e dytë e Qeverisë, një formë tjetër e shëmtuar e shfaqjes së saj. Marrëdhënia që Qeveria u ka imponuar universiteteve është një marrëdhënie aq prej zvarraniku, sa nuk është fare gabim po të thuash se, nëse je kundër kësaj Qeverie, automatikisht ndodhesh në opozitë edhe me universitetet, pothuajse gati me çdo gjë që lidhet me to. Marrëdhënia poshtëruese e varësisë së universiteteve nga Qeveria i ka zhytur universitetet, - të vetmin ndriçim të paktë që patëm në diktaturë, - në një mjerim të paanë, i cili nuk dihet as se ku fillon dhe as se ku i bie të ketë fundin e tij. Një mjerim, në fakt, që nuk përcaktohet as në kohë dhe as në hapësirë. I frikshëm, prandaj, në thelbin e tij. Vini re vetëm një gjë: komunikimin e universiteteve me publikun. Asnjë strukturë e sistemit universitar nuk angazhohet në këtë komunikim, i cili, në fakt, është jetik për vetë universitetet në një shoqëri demokratike. Nuk angazhohet Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, nuk angazhohen Këshilli dhe Agjencia e Akreditimit, nuk angazhohet Konferenca e Rektorëve, nuk angazhohet Komisioni i Dhënies së Titujve, nuk angazhohet një agjenci për shkencën që ndodhet si pjesë e strukturës së Kryeministrisë, nuk angazhohen rektorët, nuk angazhohen administratat e universiteteve, nuk angazhohen dekanët, përgjegjësit e departamenteve, nuk angazhohen profesorët, pedagogët e rinj, nuk angazhohen më së fundi as studentët. Komunikimi me publikun i gjithë kësaj fuqie universitare është zëvendësuar me dy-tri “pordhacë” që ose janë pronarë universitetesh private, ose nuk kanë punuar kurrë në një universitet. Qartësisht në një konflikt të hapur interesi, pra, në një shkelje të hapur të ligjit, ata bredhin, tamam si “pordha nëpër brekë”, nga një studio televizive në tjetrën, për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se janë universitetet private zgjidhja e problemit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe se universitetet publike janë në një krizë që nuk i lejon të përmbushin misionin e tyre sipas standardeve. Kanë një qëllim: të shpëlajnë trurin e shqiptarëve. Thonë gjithmonë të njëjtat gjëra dhe po gjithmonë, nën ato që thonë, pra, nën ato që nuk i bëjnë kurrë, qëndron instinkti i egër i zhvatjes së parave në mënyrë të pamerituar, instinkti i përfitimit të parasë publike për interesin privat. Universitetet publike heshtin si me urdhër. Aq sa, nuk besoj se ka ndonjë qytetar të këtij vendi që nuk e di se urdhri, si për heshtjen e universiteteve publike ashtu edhe për zhurmën televizive të universiteteve private, vjen nga i njëjti drejtim: Qeveria e këtij vendi.
* * *
Është e një rëndësie thelbësore që opozita e sotme t’u shpjegojë shqiptarëve se ç’po ndodh me universitetet e këtij vendi, t’u thotë atyre të vërtetën. T’u shpjegojë prindërve se po paguajnë që t’i arsimojnë fëmijët ashtu si nuk duhet të arsimohen dhe vetë të rinjve t’u thotë hapur se diploma që po marrin nuk është një dëshmi e dijes, por e mosdijes. Opozita ka përpara një katrahurë. Në vend të një sistemi universitar që përsoset, ka përpara universitete që rrënohen përditë në gërmadha. Përpara tyre shqiptarët kanë një sistem universitar armiqësor, të gënjeshtërt. Sot punësohen në departamente njerëz që kanë të plotësuar vetëm tri kritere: ose janë kushërinj të autoriteteve universitare, ose paguajnë nën dorë, ose janë të LSI-së apo të ndonjë partie tjetër që thotë se bashkëqeveris. Të njëjtat kritere vlejnë për karrierë të shpejtë, për marrje titujsh, gradash, pushtetesh. Kjo gjë, kaq hapur, kaq pa turp, kaq egërsisht, nuk kishte ndodhur prej kohësh në universitetet e këtij vendi. Universitetet e këtij vendi kanë formuar edhe hijet e tyre, përmes të cilave qeverisin, ekzistojnë, bëjnë punët. Asgjë nga ato që duken nuk funksionon realisht: as senatet, as këshillat e profesorëve, as departamentet, as organizatat e studentëve. Ato, strukturat universitare të formuara si të tilla prej shekujsh, me misione dhe detyra të latuara mirë, sot janë aty gjasme për t’u treguar të tjerëve se edhe universitetet e këtij vendi janë si ato të Perëndimit, se asgjë nuk iu mungon. Në fakt, janë aty për të kundërtën: për të fshehur gjërat që kryhen jashtë tyre. Sepse punët universitare kryhen diku tjetër dhe nga ata që sundojnë sot universitetet, në interes të atyre që ua kanë dhënë pushtetin për të sunduar. Vërtet që sundimtarët bëjnë mbledhje senati, këshillash, departamentesh; bëjnë që të lëvizë gjithçka, por ata kanë një kusht: të mos prodhohet asnjë rezultat. Rezultatet prodhohen te universiteti që nuk duket, te universiteti-hije, atje ku të duket se nuk ndodh asgjë. Atje jepen titujt, gradat, atje bëhen tenderat, fitohet paraja, atje bëhet politika e kuadrit, atje ndërtohen marrëdhëniet me të tjerët, firmosen kontratat, ndryshohen realisht programet; atje projektohen armiqtë, viktimat, sulmet, poshtërsitë. Dhe kjo gjë ndodh te universitetet, të cilët presupozohen të jenë institucionet e rafinerimit të demokracisë së një vendi! Imagjinoni se ç’ndodh diku tjetër, që nuk është universitet, ku shitet dhe blihet pasuria e këtij vendi! Le të ndalemi këtu, megjithëse jemi akoma në fillim të konstatimeve. Kujt i intereson ky degradim, kjo rënie deri në pikën që pothuajse po bëhet e pamundur ringritja? Pra, kujt i intereson një sistem i shkatërruar dhe jo një sistem universitar që funksionon? Nëse kjo do të shihet nga pikëpamja e interesave, pra nga pikëpamja e politikës, është jashtë çdo dyshimi se shkatërrimi i sistemit universitar u intereson atyre që kanë dashur dhe duan të krijojnë një pushtet në interesin e tyre dhe jo të Shqipërisë. Një vend mund të sundohet kur ka universitete të gënjeshtërta dhe është e pamundur të sundohet me universitete të vërteta. Autoritarizmi nuk do ta sundonte kurrë këtë vend nëse nuk do të shkatërronte universitetet në fillim. Autoritarizmi i viteve të fundit nuk i gjeti të tilla universitetet shqiptare, nuk i gjeti si universitete-hije. Ai i krijoi ato, duke i denatyruar përditë, me idenë dhe instinktin e sundimit të vendit. Po i denatyron për t’i pasur si veten, ose në rastin më të mirë, për t’i pasur aleatë në kauzën e vet që vetëm në interes të shqiptarëve nuk është.
* * *
Opozita e sotme duhet të kuptojë qartësisht të paktën dy gjëra. E para, çdo universitar i sotëm, nëse është vërtet i tillë, nuk beson më se Qeveria mund të rindërtojë universitetet dhe sistemin universitar. Ajo ka dhënë prova të pafund, madje tragjike, se e ka shkatërruar atë. Për universitarët e vërtetë, të cilët janë edhe pjesa kockore e sistemit, shpresa mbetet te opozita edhe për një arsye shumë të thjeshtë, intuitive: opozitës i ka ardhur koha e provës. E dyta, opozita duhet të kuptojë se sistemi universitar është shkatërruar nga kjo qeverisje sepse ajo e ka sunduar atë politikisht. Vetëm universitetet mjerane pranojnë të sundohen nga politika, të bëhen aleate të saj. Ky është kusht i gjunjëzimit të universiteteve; pra, t’i denatyrosh në fillim, t’i bësh që të mos i “vijë era universitet” dhe pastaj, dhe vetëm pastaj, t’i sundosh, sepse vetëm kështu, të denatyruara, ato e pranojnë lehtësisht sundimin e politikës, madje edhe si një formë të ekzistencës së tyre. Por, qytetarët e këtij vendi po e kuptojnë çdo ditë se sistemi universitar rindërtohet vetëm nëse politika qëndron larg tij. Prandaj, që sot, opozita duhet t’u japë garanci atyre se në qeverisjen e ardhshme do të jetë reforma ligjore, politikat financiare që zhvillojnë dhe konsolidojnë pavarësinë institucionale të universiteteve dhe jo ndërhyrja te to, substanca e marrëdhënieve të qeverisjes me universitetet. Duhet të japë garanci që të gjitha strukturat ndërmjetëse si Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë, Konferenca e Rektorëve, Këshilli i Akreditimit, Agjencia e Akreditimit, Komisioni i Vlerësimit të Titujve, strukturat që lidhen me kërkimin shkencor, të krijuara për të mbrojtur universitetet nga politika, nga interesat e mbajtjes së pushtetit, do të ribëhen nga e para dhe si në operimin e një kanceri, do të pastrohet prej tyre çdo “qelizë” që do t’u jepte mundësinë të vazhdonin të funksiononin si kanale përmes së cilave qeveria të mund të shfryjë epshin e saj autokratik, të mund të zgjasë kthetrat helmuese te universitetet. Ky është thelbi i gjërave: te raporti i politikës me universitetet. Aty janë të dyja, si mjerimi i sotëm, ashtu edhe suksesi i nesërm.
* * *
Por, dy gjëra të tjera duhet të bëhen me shpejtësi, menjëherë, sapo opozita të vijë në pushtet. E para, duhet të mbyllen dhe të rilicencohen të gjitha universitetet private të këtij vendi. Njësoj siç bëri Kosova. Të rilicencohen mbi bazë të ligjit të ndryshuar dhe, vetëm pasi strukturat e licencimit dhe akreditimit të jenë transformuar në struktura të pavarura ndaj Qeverisë. Ligji duhet të përcaktojë qartë se një universitet duhet të jetë i universalizuar që të licencohet, pra, të jetë një universitet ku mësohet dija dhe jo copëza dijesh. Prandaj të licencohet vetëm kur të strukturohet si i tillë: me fakultete ku mësohen jo vetëm jurisprudenca, jo vetëm shkencat politike, por edhe ato të natyrës. Së dyti, opozita duhet ta ketë të qartë se janë njerëzit ata që do t’i ndryshojnë universitetet. Prandaj, ribërja e menjëhershme e zgjedhjeve të autoriteteve universitare duhet të trajtohet si një emergjencë kombëtare. Ato duhet të organizohen në një konkurrim publik, jo vetëm të hapur para universitarëve, por edhe para prindërve të studentëve, para të gjithë qytetarëve të këtij vendi, gjë që me siguri do të shkulë injorancën, terrin e turpshëm në të cilin i kanë zhytur universitetet e vendit autoritetet ekzistuese. Ka edhe një gjë të tretë që opozita mund ta bëjë që sot, pa ardhur akoma në pushtet. Të ndryshojë kryetaren ekzistuese të Komisionit Parlamentar të Arsimit, si përfaqësuese e opozitës. Universitarët kanë kohë që e kanë kuptuar se kjo detyrë është shumë e rëndë, gati e pamundur për t’u kryer nga kjo zonjë. Opozita ka përfaqësues të tjerë, anëtarë të të njëjtit Komision, që mund t’i vendosë në krye të tij në këtë kohë vendimtare për universitetet dhe arsimin. Me këtë ndërrim, opozita do t’u demonstronte shqiptarëve se energjizohet nga të aftët. Madje, ky ndërrim mund të bëhet pa ndryshuar edhe gjininë e kryesimit të Komisionit, pra, edhe duke ruajtur formalisht atë te e cila, në fakt, besoj më pak: raportin e sforcuar midis burrave dhe grave në drejtimin e këtij vendi.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›