Përmirësimi i politikave monetare po sjell rritjen e buxhetit e më tej, edhe ...
Sipas projekteve të Ministrisë së Financave, tatimi mbi të ardhurat 10 % pritet që të prekë dhe shpenzimet për shpërblimet dhe bonuset e biznesit për vitin e ardhshëm. Ky vendim lindi nga abuzimet e shpeshta që po bënte biznesi në çdo mbyllje vjetore të bilancit, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet për shpërblime dhe paga me synimin për të paguar më pak tatim-fitimin. Kjo shkelje apo evazion ka detyruar ministrinë që për vitin 2013 të tatojë me 10% të gjitha shpërblimet përveç pagës së 13-të që përcaktohet në kodin e punës dhe që njihet si shpenzim i zbritshëm. Me këtë vendim qeveria reagon në formën më të mirë për të mos lënë më vend për abuzime të cilat tek e fundit ndikojnë veçse për të zvogëluar të ardhurat e buxhetit të shtetit por sidomos për të vënë para përgjegjësisë biznese të cilat kanë detyrimin të përgjigjen financiarisht konform çdo ligji që i lë ata të operojnë normalisht në treg. Është i drejtë propozimi për t’iu shtuar kësaj kategorie edhe te ardhurat që vijnë si rezultat i arritjeve në shkencë, art, sport, kulturë, kompensime për çështje gjyqësore. Të ardhura të cilat nga mënyra dhe natyra e krijimit të tyre nuk kanë lidhje me aktivitetin e biznesit dhe që nuk kanë lidhje me fitimin neto të një individi.
Kolanës së reagimeve pozitive për ekonominë i shtohet edhe politika monetare e cila po ruan një performancë pozitive. Nëse i referohemi Bankës se Shqipërisë, megjithë pasiguritë e tregjeve për të ardhmen, norma e interesit për depozitat 1-vjeçare ishte 5.33% nga 5.87%, që ishte mesatarja për vitin 2011. Edhe tregu i bonove të thesarit që ka qenë më problematiku ka reaguar mirë në fakt. Lehtësimi i politikës monetare për kreditë mbetet pak i trazuar për shkak të zhvillimeve të përgjithshme të ekonomisë të cilat mbështeten te risku bankar. Megjithatë kjo nuk vlen për kreditë afatshkurtra me maturim 1-vjeçar pasi statistikat për muajin korrik tregojnë se interesat ishin më të ulëta nëse i krahasojmë me mesataren e vitit të kaluar. Parashikimet vazhdojnë të jenë optimiste për vitin 2013, në çdo hallkë të ekonomisë në fakt. Këtë e ka miratuar dhe vetë kreu i qeverisë dje në mbledhjen me ministrat. Buxheti për vitin e ardhshëm është ende në proces hartimi, megjithatë parashikohen rritje të investimeve, aspak shkurtim shpenzimesh. Buxheti mendohet të arrijë vlerën e 400 miliardë lekëve të cilat do të ndihmojnë zbutjen e hendeqeve mes pagave dhe pensioneve. Megjithatë fokusi për vitin e ardhshëm do të jetë bujqësia. Mbështetja për fermerët do të jetë më e madhe vitin e ardhshëm. Mbështetje e cila do të shoqërohet padyshim me shumë investime në ketë fushë. Për biznesin do të vazhdojnë lehtësitë me politikën e uljes së barrës fiskale dhe njëkohësisht kontrollet nga ana e administratës tatimore do të jenë më mirë të organizuara. Ndërkohë heqja e TVSH-së për makineritë e fasonëve gjykohet si një nga reagimet më të vigjilente të qeverisë duke marrë parasysh se ky është ndoshta tregu më kryesor me të cilin kryejmë shkëmbimet tregtare. Treg i cili numëron në Shqipëri rreth 400 biznese me një profil të tillë dhe që ka më shumë se 100 mijë persona të punësuar në to. Kjo industri ka njohur një zhvillim të madh specifikisht për krahun e lirë të punës. Njerëzit e këtij vendi me të drejtë krijojnë një panoramë të përgjithshme duke iu referuar përgjithësisht kronikave negative dhe shpeshherë të dhimbshme por është e rëndësishme që gjithkush ta përqendrojë më parë vëmendjen te një sistem komunikimi i cili përcjell çdo lajm përfshirë këtu dhe të gjitha vendimet e këtij shteti, pasojat pozitive të të cilave mund të mos i përjetojmë në çastin më të afërt por që shumë shpejt do bëhen pjesë e atyre që shpresojnë te e ardhmja.