E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita pro integrimit, llogari shumicës për premtimet

10-09-2013 / Gazeta 55

Konstruktive, jo bllokuese, jo e baltës, jo e shpifjes, por e fakteve dhe kontribuuese për integrimin evropian të vendit, kjo do të jetë anatomia e opozitës së re të Shqipërisë, e prezantuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Me një biografi dhe bilanc pozitiv të kabinetit Berisha, si kredenciale të çmuara të aftësisë qeverisëse të së djathtës, grupi i ri opozitar do të angazhohet të monitorojë çdo ditë përmbushjen e premtimeve të mazhorancës së re, mosmbajtja e të cilave parashikon pasoja dhe jetëgjatësi të shkurtër për qeverinë e Piktorit

Partia Demokratike ka demonstruar gjithnjë forcën e saj konstruktive në drejtim të zhvillimeve integruese të vendit, duke qenë promotore e afrimit të Shqipërisë me sfidat euroatlantike. Në tetë vitet e qeverisjes së vendit nga PD rezultatet janë konkrete dhe të prekshme, sikurse është shënuar një punë e madhe edhe në kuadër të integrimit. Shqipëria sot është anëtare të NATO, ka përfituar nga liberalizimi i vizave dhe është vetëm një hap larg marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Të gjitha këto janë arritje të shënuara gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Ndonëse dy objektivat e parë, anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave u konkretizuan me sukses të plotë, marrja e statusit të vendit kandidat u bllokua në mënyrë të turpshme gjatë 3 viteve nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Kur Shqipëria ishte në pragun e derës së Bashkimit Europian, opozita e Edi Ramës bëri bllokadën e madhe, duke i prerë shpresat vendit, për një aderim të shpejtë në Bashkimin Europian. Sot, flasim për një realitet tjetër. Forca promotore e integrimit të Shqipërisë në BE, do të jetë në opozitë, ndërsa bllokatorët do të qeverisin. Pritshmëritë për të ardhmen e vendit varen direkt dhe me përgjegjësi direkte nga qeveria e socialistëve. Ata që bllokuan integrimin, duke zvarritur shpresën e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane në kohën më të shpejtë të mundshme, kanë sot në dorë pushtetin. Normalisht që do kërkojnë edhe asistencën e opozitës në këtë proces, por opozita e ardhshme është dhe mbetet promotore e integrimit. Detyrë e Partisë Demokratike është të kontribuojë për integrimin dhe t’i kërkojë fuqishëm llogari mazhorancës së re për premtimet e bëra në fushatën zgjedhore. Dhe këto janë të shumta, aq sa Edi Rama s’ka guxim t’i përmendë më. Por, kjo s’do të thotë se premtimet do harrohen, pasi në memorien e shqiptarëve është e memorizuar fort premtimet antiglobaliste të Edi Ramës për heqjen e taksave për biznesin e vogël, shëndetësinë falas, punësimin e 300 mijë shqiptarëve dhe legalizimin e banesave falas. Për këto dhe të tjera, Edi Rama do të mbajë përgjegjësi deri në fund të mandatit qeverisës. Detyrë e Partisë Demokratike është të kërkojë llogari dhe ta vendosë kreun e qeverisë përballë fakteve të premtimeve të pambajtura. Dhe këtë do ta bëjë mësë miri përmes një opozite konstruktive, të fortë dhe kontribuuese për fatet e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›