E Martë, 3 Nëntor 2026

Opozita protestë për mbylljen e TikTok

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Opozita zhvilloi mbrëmjen e sotme një protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër mbylljes së platformës sociale TikTok.

Mbështetës të PD  dhe të rinjë iu bashkuan këtij tubimi teksa në duar mbanin pankarta të ndryshme kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e “TikTok”.

PD e ka cilësuar si akt censure të fjalës së lirë, një veprim që vjen në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Aktori Mehdi Malkaj tha në fjalën e tij se të gjithë shqiptarët duhet të bëhen bashkë kundër Ramës sepse sipas tij, kryeministri do t’i ketë në kontroll të gjitha prandaj do ta mbyll edhe TikTok-un.

“Ky nuk ka inat me TikTok-un,, po ka inat me ne pse kemi TikTok sepse nuk e administron ai sepse është ai që i bënë të tëra, ai që një ditë do ta na heqë edhe ajrin“, tha Malkaj.

Pas aktorit, fjalën e morën edhe të rinjtë pjesëmarrës në  këtë tubim duke u shprehur se “nuk është TikTok-u problemi në vend” dhe se nuk duhet të censurohet fjala e lirë.

Një studente tha se “vendimi për të mbyllur TikTok nuk është asgjë tjetër veçse një precedent i rrezikshëm për lirinë e fjalës, për lirinë e shprehjes, për këtë të drejtë që ne na e ka garantuar Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut”.

“Ne jemi sot këtu për t’i thënë Edi Ramës se nuk ta ka fajin TikToku që të janë larguar 1 milion të rinj e të reja, nuk ta ka fajin TikToku që ka humbur siguria në vend.Nuk ta ka fajin TikToku për skandalet e keqqeverisjes tënde, nuk ta ka fajin TikToku që ke dështuar në çdo gjë dhe në çdo nisëm që supozohet se ke marrë:, tha ajo.

Një tjetër i ri tha se “jemi të rinjtë e mendimit të lirë, të fjalës së lirë, të protestës. Ne nuk jemi petale trëndafili, nuk jemi patronazhistë, dhe ne nuk punojmë për një vend pune në administratë”.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, PD kishte marrë dy orë leje për zhvillimin e protestës, por ajo zgjati rreth 1 orë ndërsa për mbarëvajtjen u bllokua qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore.

Qeveria vendosi të mbyllë rrjetin social, pas një seri konsultash me prindër dhe mësues. Shak i nisjes së diskutimeve për mbylljen e TikTok ishte vrasja e të riut Martin Cani nga një bashkëmoshatar.

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri u shpreh sot nga protesta e opozitës për mbylljen e TikTok se, “Edi Rama e ndjen veten kryeministër të vitit 2030. Ta mbyllte në 12 maj, por nuk e mbyll më 12 maj. Sepse qeveria e tij është mbyllur që tani dhe do t’i japi oksigjen propagandës së Endri Fugës, mendimit të tij gëbelsian dhe gjithçka që ai do të kontrollojë.

Kontrollon mediat, e dimë që të gjithë. Kemi analistë të pavarur në listën e tij të mbyllur. Ja këto janë mediat shqiptare. Kontrollon biznesmenët e dimë të gjithë. I ke prapë në listat e tij të mbyllura. Kontrollon rininë e pavarur. Aty i ke edhe ata. Kontrollon edhe krimin. Brenda listës së tij i ke po ashtu”, tha Xhaferri.

“Po një kërkesë kam unë patjetër për Partinë Demokratike. Dhe thirrja ime është, nga sot e tutje asnjë sekondë pushim. Ne do jemi fitimtarë, ata janë humbësit e vërtetë. Ata do jenë humbësit e 12 majit”, u shpreh Xhaferri.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›