E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita proteston në Kodër Kamëz

Protestat e opozitës kanë vijuar paraditen e sotme në Kodër Kamëz. Banorët e kësaj zone kanë ngritur shqetësime për koston e lartë të jetesës, rritjen e faturave të dritave, për ujin e pijshëm për të cilën ju ishte premtuar se do të kishte 24 orë ujë, si dhe rritjen e përditshme dhe të papërballueshme të çmimeve. Protesta e banorëve u mbështet nga deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle. Në fjalën e tij deputeti i PS-së Namik Dokle theksoi se Partia Socialiste është në krye të protestuesve në mbarë Shqipërinë nga Tropoja deri në Konispol, nga Vlora në Shkodër, nga Kukësi në Durrës, nga Berati në Korçë e kudo.
"Ne sot këtu vijmë për ti thënë Berishës hap kutitë ose largohu dhe ndal rrënimit ekonomik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse është e drejta jonë të protestojmë. Kur qeveria vjedh është e drejta jonë ti themi që është qeveri hajdute, kur qeveria shkel ligjin është e drejta jonë që ti themi turp, kur qeveria vjedh votat është e drejta jonë që ti themi pse manipulon dhe kështu nuk shkohet në Europë. Të hapen kutitë, sepse duke hapur kutitë hapet e drejta dhe hapet rruga e zhvillimit të Shqipërisë. Sali Berisha duke mbajtur kutitë e mbyllura do të mbajë mbyllur tunelin e Kukësit, Sali Berisha duke mbajtur kutitë e mbyllura synon të mbajë të mbyllura dosjet e ministrave të tij të korruptuar. Prandaj ne protestojmë dhe do vazhdojmë të protestojmë" theksoi Dokle. Gjithashtu Dokle i bëri thirrje banorëve të Kodër Kamzës që më 30 prill bashkë me gjithë Shqipërinë të mblidhemi në bulevardin e madh "Dëshmorët e Kombit" për të protestuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›