E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita siriane premton njohjen e Pavarësisë së Kosovës

26-04-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm, Hoxhaj priti në një takim përfaqësues të opozitës siriane

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në një takim disa përfaqësues të opozitës siriane. Udhëheqësi i delegacionit, Amar Abduhamid, aktivist "pro" demokracisë, tha se nëse opozita do të qeverisë me Sirinë, kjo e fundit shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Unë mendoj se pas takimit të sotëm dhe kësaj vizite, si dhe duke u bazuar në bashkëpunimin tonë, i cili vetëm ka filluar, (njohja e pavarësisë së Kosovës) do të jetë numër një në agjendën tonë. Natyrisht se ne nuk mund të flasim në emër të popullit sirian, sepse ne jemi këshilltarë të grupeve të ndryshme politike në terren ... Por, realiteti është se Kosova është në një pozicion të mirë që të përkrahet nga populli sirian, për shkak të këtij lloji të takimeve. Ky është një fillim i mirë për raporte të fuqishme në mes të Kosovës dhe popullit sirian”, tha Abduhamid, i cili në vitin 2005 është detyruar të mërgojë në Merilend për shkak të aktiviteteve të tij kundër regjimit.

Ministri Hoxhaj, në anën tjetër, tha se Kosova “në mënyra të ndryshme do ta ndihmojë Sirinë në rindërtimin e një shteti demokratik, ku respektohen të drejtat e njeriut”.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që prej marsit të vitit të kaluar. Grupet opozitare kërkojnë largimin nga pushteti të presidentetit Bashar al-Asad.

Grupi sirian ka qëndruar sot në Kosovë me ftesë të Klubit për Politikë të Jashtme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›