Berisha në SHBA, vizitë në muzeun Willson, nderohet me çmimin e Mirënjohjes: “Pluralizmi Kulturor”. Takime me ish ndihmës sekretarin Daniel Fried dhe senatoren Shaheen

Shtëpia Muze e Presidentit Woodrow Willson, i vetmi muze presidencial në Uashington, në bashkëpunim me Komisionin Federal për Trashëgiminë Kulturore dhe me Ambasadën shqiptare në SHBA, dhanë mbrëmë një pritje për Kryeministrin Sali Berisha, i cili ishte i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha.
Ky aktivitet ishte një takim kulturor për të ritheksuar lidhjet historike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Te pranishëm ishin zyrtarë amerikanë, përfaqësues të Komunitetit shqiptar në SHBA, përfaqësues institucionesh, fondacionesh, organizatash jo qeveritare e diplomatë, studentë shqiptarë, miq e dashamirës të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Midis të pranishmëve ishin edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Sigurinë Ndërkombëtare Thomas Countryman, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në zyrën për Europën dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit Philip Reeker, ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksandër Arvizu.
Me rastin e kësaj vizite të Kryeministrit, Komisioni për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë i akordoi Kryeministrit Berisha medaljen e Mirënjohjes “The Cultural Pluralism Award”, i cili iu dorëzua Kryeministrit nga Kryetari i tij Warren Miller. “Në emër të qeverisë amerikane dhe të komisionit që unë kryesoj, e nderoj kryeministrin shqiptar Sali Berisha për kontributin e jashtëzakonshëm për çuarjen përpara të kauzës për përkujtimin e holokaustit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të shtetasve amerikanë në Shqipëri”.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Për mua, ky është një rast i jashtëzakonshëm, që të kem mundësinë të shpreh në emër të vendit tim, të shqiptarëve, qeverisë time, mirënjohjen më të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që kanë treguar ndaj shqiptarëve gjatë një shekulli.
Këtë vit, ne do të festojmë shekullin e pavarësisë sonë. Kushdo që sheh pas në historinë e vendit tim, gjen një nga historitë më të dhimbshme, me momenteve të vështira. Por nuk ka asnjë komb tjetër aq krenar sa populli shqiptar, sepse e feston këtë përvjetor kaq të madhërishëm, si një vend i lirë.
100 vjet më parë, njerëzit më të fuqishëm të asaj kohe menduan të mos lejonin që shqiptarët të kishin shtetin e tyre, edhe pse ne jemi me shumë gjasa një nga vendet më të vjetra në kontinent. Pak kohë më parë, një arkeolog, duke bërë disa kërkime në vendin tim, gjeti një nga fermat më të vjetra në Evropë. Kështu, për arsye të ndryshme, ata menduan se shqiptarët nuk duhet të shpallnin pavarësinë e vendit të tyre, madje edhe kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, pati projekte të ndryshme për ndarjen përfundimtare të territorit të shqiptarëve, të cilat vijuan në mënyrën më këmbëngulëse. Por ishte Presidenti i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Presidenti Willson, i cili, duke ruajtur parimet e tij mbi të drejtën e vendeve për vetëvendosje, u shokua nga mizoritë që fqinjët e mi ishin angazhuar të bënin ndaj vendit tim, falë misionarëve Amerikanë, të cilët raportonin çdo ditë dhe çdo javë në median amerikane se çfarë ndodhte me këtë vend, por edhe falë shqiptarëve, të cilët, edhe pse në atë kohë ishin një nga komunitetet më vogla në këtë vend të madh, ia dolën më në fund të takohen me Presidentin Willson. Themeluesi i Kishës Autoqefale të këtij vendi dhe ish Kryeministri më vonë, Fan Noli u takua më të, në Shtëpinë e Bardhë, në 14 Korrik të vitit 1918. Kështu, në një moment kyç të ekzistencës së shtetit tonë, Presidenti Willson nuk pranoi një pjesë të madhe të çështjeve, në të cilat parashikohej që Shqipëria të mos ekzistonte si shtet. Që prej asaj kohe, Presidenti Ëillson, në zemrën dhe mendjet e shqiptarëve kujtohet si të ketë qenë president i 10-të vite më parë. Kjo është e vërteta dhe ndodh, sepse vendet që kanë vuajtur, i ruajnë këto, të gjalla në memorien e tyre. Kjo është edhe arsyeja se përse jemi kaq mirënjohës ndaj këtij burri të madh.
Dua të them edhe disa fjalë të tjera. Edhe më pas, në çdo moment kyç të kombit tonë, ne arritëm të ishim të suksesshëm, falë mbështetjes së SHBA-së dhe vendosmërisë. Ne u mbështetëm, pasi kauza jonë ishte e drejtë dhe ishte një kauzë, një princip, në zemër të themelimit të këtij vendi.
Sot pata një takim të shkëlqyer me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Clinton, e cila është pa diskutim një nga miket më të mëdha të vendit tim dhe bashkëshorti i saj është një “hero kombëtar” i shqiptarëve.
Edhe njëherë falënderimet e mia më të përzemërta për praninë tuaj sot, këtu. Ju faleminderit shumë”.
Kryetari i Komisionit për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë, Warren Miller, duke i uruar mirëseardhjen Kryeministrit, u shpreh: “Është kënaqësia ime e madhe dhe privilegj që këtë mbrëmje të kem mundësi t’i akordoj çmimin e nderit, të shumë merituar, Kryeministrit Sali Berisha. Ai është njëri i vizionit dhe një lider i madh i këtij vendi. Disa vite më parë jam takuar me Kryeministrin dhe i propozova që Shqipëria të ketë një Ditë Kombëtare të Kujtimit të Holokaustit dhe siç ndoshta shumë nga ju nuk e dinë, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane. Kryeministri menjëherë pati mençurinë për ta bërë këtë. Ai më tha se kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe në janarin pasues Shqipëria festoi Ditën e Parë të Kujtimit të Holokaustit, e cila u celebrua në nivelet më të larta qeveritare, me fjalime në parlament të mbajtura nga Kryeministri Berisha, një ceremoni me Presidentin e Republikës, duke nderuar viktimat e Holokaustit dhe mirënjohjen për qytetarët shqiptarë, të cilët gjatë Holokaustit shpëtuan të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në këtë vend. Shqipëria është i vetmi vend, në të cilin në fund të Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj, sesa para fillimit të saj. Gjatë vizitës time në Shqipëri, unë gjithashtu propozova ndërtimin e një Memoriali Kombëtar të Holokaustit, i cili mund të shërbejë si vend për t’u mbledhur për përkujtimet në të ardhmen. Kryeministri e mbështeti me entuziazëm këtë ide dhe jam i lumtur të them që tashmë kemi një arkitekt të mirënjohur në nivel ndërkombëtar, i cili ka dizenjuar një memorial impresionues. Ne shpresojmë që ta inaugurojmë këtë, më vonë gjatë këtij viti, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Për të gjitha këto përpjekje, unë jam i lumtur t’i akordoj në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të Komisionit që unë drejtoj, çmimin e pluralizmit kulturor me këtë motivacion: Akorduar Shkëlqesisë së tij, Sali Berisha, për kontributet e jashtëzakonshme në promovimin e çështjes së kujtimit të Holokaustit, duke vendosur të vërtetën historike dhe promovuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore”.
Pas marrjes së çmimit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për nderimin me këtë çmim. “Ky çmim - u shpreh Kryeministri - i përket më shumë shqiptarëve, të cilët në një moment kyç dhe të vështirë të historisë së civilizimit tonë, patën mençurinë dhe moralin të qëndrojnë në anën e duhur, të qëndronin në anën e viktimave, të sakrifikonin gjithçka për të shpëtuar ata që ishin viktima, për shkakun e vetëm, atë të etnisë së tyre. Kështu që jam shumë mirënjohës për çmimin që më dhatë dhe ju siguroj se ndihem, sikundër çdo shqiptar ndihet shumë i lumtur dhe krenar me marrëdhëniet me njerëzit tuaj dhe vendin tuaj, por çdo gjë që shqiptarët kanë bërë për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës, komuniteti hebre i këtij vendi ka bërë më shumë për ta.”
-- Berisha takon ambasadorin dhe ish ndihmës sekretarin e Shtetit, Daniel Fried
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me Ambasadorin Daniel Fried, ish ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA dhe tashmë i Ngarkuari i Posaçëm i SHBA për mbylljen e burgut të Guantanamos. Në takim merrte pjesë edhe ambasadori i SHBA në Tiranë z. Aleksandër Arvizu.
Z. Daniel Fried i uroi përzemërsisht Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në SHBA dhe i shprehu atij, qeverisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve urimet më të ngrohta e miqësore për 100 vjetorin e pavarësisë.
“Dy vendet tona kanë arritur bashkëpunime dhe suksese të mëdha së bashku. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga këto arritje të mëdha”- tha Ambasadori Fried.
Z. Daniel Fried e uroi Kryeministrin Berisha për evenimentin e rëndësishëm që do të zhvillohet në muzeun e Holokaustit dhe vlerësoi tolerancën e shkëlqyer fetare dhe ndëretnike të shqiptarëve gjatë historisë, si një rast vërtet unik.
Kryeministri Berisha, duke e falënderuar zotin Fried për fjalët e ngrohta, theksoi se, “shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë amerikane dhe popullit amerikan, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha fushat”. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja jonë më e madhe, pas pavarësisë së saj”- tha Kryeministri.
Ambasadori Fried e falënderoi Kryeministrin për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë në rastin e të burgosurve të Guantanamos.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, të bazuara mbi miqësinë e ngushtë e tradicionale midis të dy popujve e kombeve, si edhe vullneti dhe angazhimi për t’i zgjeruar e thelluar ato edhe më tej, në të ardhmen.
-- Kryeministri takon Senatoren Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit për çështjet Evropiane
Kryeministri Berisha, u takua në Washington DC me Senatoren Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për çështjet Evropiane. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Senatorja Shaheen vlerësoi reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe dhe rolin e saj për paqen prosperitetin e sigurinë në rajon. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha e njohu Senatoren Shaheen me zhvillimet aktuale politike në Shqipëri. Kryeministri theksoi se opozita tashmë ishte prezentë në Parlament dhe problemet e vitit të kaluar ishin tejkaluar. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se tashmë ekziston vullneti i forcave politike për heqjen e imunitetit për të gjithë zyrtarët në Shqipëri për akuza të lidhura me korrupsionin dhe krimin e zakonshëm. Ndër të tjera Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimit dhe të arritjeve të vendit në fusha të rëndësishme, si atë ekonomike, fushën e arsimit, mjekësisë, ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, etj. Në takim u diskutua mbi potencialet e mëdha që ofron Shqipëria, në shumë fusha dhe u rikonfirmua vendosmëria për të nxitur investitorët e rëndësishëm amerikane që të zhvillojnë investimet e tyre në Shqipëri.