Opozita sot protestë në Fier e Vlorë: 'Hap kutitë, ose largohu'
Turi i protestave të Partisë Socialiste vijon sot në qytetin e Fierit dhe Vlorës. Me parrullen moton "Hap kutitë ose largohu", nga këto dy qytete opozita do t'i kërkojë sërish kryeministrit të vendit, Sali Berisha të vendosë të bëjë transparencën e zgjedhjeve, ose të lërë karrigen.
Ashtu si edhe në protestat e zhvilluara në qytete të tjera, si Durrës, Berat e Elbasan, socialistët protestojnë për gjendjen e vështirë ekonomike të krijuar në vend, për rrezikun që i kanoset biznesit për shkak të politikës së taksave të ndjekur nga qeveria.
Sipas deputetit të PS-së, Fatmir Toçi, në Vlorë krahas këtyre arsyeve shumë të qenësishme do të protestohet edhe për "rrezikun e zhdukjes së Vlorës nga harta e vendeve turistike për shkak të ndotjes nga vënia në punë e TEC-it, Petroliferës dhe zhdukja e 500 hektarëve në Pyllin e Sodës dhe kalimin e saj "si zonë e lirë" dhe dhënien me qira për 1 euro m2".