NATO, letër Kuvendit: Po neglizhoni ushtrinë
Ushtria shqiptare do të bëhet pjesë e pararojës së ushtrisë së NATO-s në Afganistan, por mungojnë financimet
TIRANË - Megjithëse prej prillit të shkuar Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO), ushtria e saj vijon të mos përmbushë thuajse asnjë prej standardeve që kërkon të qenit pjesë e familjes më të madhe ushtarako-politike në botë.
Gati 9 muaj pas këtij momenti të shumëpritur nga populli shqiptar, Shqipëria ka bërë shumë pak për të arritur nivelin ushtarak të vendeve të tjera homologe, anëtare të kësaj organizate.
Për këtë qëllim, strukturat drejtuese të NATO-s në Bruksel, i kanë tërhequr vëmendjen vendit tonë për neglizhencën, që po tregon në këtë drejtim, duke i sugjeruar në të njëjtën kohë dhe pikat kryesore ku dhe duhet të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme për të përmirësuar situatën në radhët e forcave tona të armatosura.
Vërejtjet
Ka qenë ndihmëssekretari për problemet politike dhe planifikimit të NATO-s, njëkohësisht ndihmësi i parë i sekretarit të Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen, ai që i ka kujtuar vendit tonë problematikat që duhet të zgjidhë shteti shqiptar në aspektin e ushtrisë.
Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, i cili, duke marrë shkas nga korrespondenca me zyrtarin e lartë të NATO-s i ka sugjeruar trupës drejtuese të ushtrisë shqiptare të pranishme në mbledhjen e djeshme, që të marrë masa për t'iu përgjigjur kërkesave të parashtruara prej kësaj organizate.
Kështu, Demi ka bërë të ditur se ndihmësi i parë i kreut të NATO-s në një komunikim zyrtar me komisionin, ka paraqitur katër problematika, për të cilat kërkohet ndërhyrje, ku më kryesoret janë realizimi i buxhetit dhe modernizimi i ushtrisë shqiptare.
"Nga NATO na është tërhequr vëmendje në këto drejtime: Buxheti, pra në kuptimin e realizimit të tij, investimet për modernizimin e ushtrisë, procedurat e prokurimit në marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe për planet e realizimit të detyrave", - tha Demi, duke iu drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Maksim Malaj, dhe ushtarakëve të tjerë të lartë të pranishëm në mbledhjen e djeshme të komisionit të Sigurisë, ku dhe është diskutuar për përgatitjen e ushtrisë shqiptare për të qenë e gatshme për të marrë përsipër misione luftarake në vendet ku NATO operon siç është edhe Afganistani.
Demi nuk ka dhënë më shumë detaje mbi kërkesat e tjera të drejtuesit të lartë të NATO-s, por ka paralajmëruar drejtuesit ushtarak të ushtrisë shqiptare që të përgatiten për një seancë të posaçme dëgjimore mbi të gjitha problematikat e përmendura më lartë.
Operacionet
Pavarësisht problematikës që evidentohet, ushtria shqiptare është e gatshme të sakrifikojë dhe në kushte fare të pabarabarta me ushtritë e vendeve të tjera të NATO-s. Ushtria shqiptare do të përballet me rrezikun më të lartë në operacionet paqeruajtëse në vendet në konflikt siç është edhe rasti i Afganistanit ku ne prej vitesh kontribuojmë.
Por ndryshe nga më parë, ushtria shqiptare tashmë kontributin e saj nuk do ta japë vetëm në prapavijë, por edhe në frontin e luftës, duke u bërë pjesë e pararojës së ushtrisë së NATO-s në Afganistan. Kontingjenti i ri shtesë i miratuar së fundmi nga Kuvendi nuk do të ketë vetëm detyra mbështetëse, por një pjesë prej 20 ushtarësh do të bëhen pjesë e kontingjentit luftarak të kësaj ushtrie shumëkombëshe.
Për këtë arsye, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Maksim Malaj ka siguruar anëtarët e Komisionit të Sigurisë për kapacitet dhe aftësitë që ka kontingjenti që do të dërgohet në Afganistan për tu përballur me një rrezik edhe më të lartë.
Pavarësisht merakut të deputetëve lidhur me kushtet logjistike dhe armatimin, gjeneral Malaj ka siguruar se trupa e përcaktuar për këtë mision është stërvitur për të marrë përsipër këtë mision. Por, ndërkohë, nga ana tjetër shteti shqiptar duket se nuk është në gjendje që ti përgjigjet këtij misioni me një trajtim të veçantë në përputhje me rrezikshmërinë e tij.
Kështu, një nga drejtuesit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes i pranishëm në mbledhjen e djeshme, ka bërë të ditur se Ministria e Financave nuk i është përgjigjur pozitivisht disa akteve të hartuara për trajtimin e diferencuar financiar dhe sigurimin e jetës së ushtarëve që do të dërgohen në Afganistan.
Për këtë qëllim ai ka kërkuar prej komisionit që të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë. Gjatë mbledhjes është vënë theksi edhe tek mungesa e një armatimi të nevojshëm për kryerjen e këtij misioni, pavarësisht se gjeneral Malaj është shprehur i sigurt për suksesin e tij.