E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozitës i mungon pushteti

02-02-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Vëreni çfarë kapërthurjeje: qysh prej tre vitesh, opozita i thotë Jo marrjes së statusit dhe, në llogarinë e një strategjie për të fituar, ja ku i shfaqen përpara trysnia popullore, afrimi i datës së mundshme, ardhja e sapo paralajmëruar e komisionerit Stefan Fyle, votimet vetëm pesë muaj larg dhe dilema - të thotë prapë Jo, çfarë fature i bie të paguhet, të thotë Po tani në fund, a do kishte qenë  më mirë të votonte tri vjet më parë, ose dy vjet të shkuara, ose të paktën në vjeshtën e artë që kaloi? Sipas fjalorit shahistik, ky është një caitnot i madh i opozitës (humbje e kohës së duhur) në lojën e synuar. Vota popullore për integrimin e Shqipërisë në Bashkim Europian është e palëkundur - afër 100 përqindëshit, mosvotimi  i së majtës ka tri vjet që është e ndaluar - 0 e madhe.
Le të hamendësojmë këtë rrethanë:
Nëse PS do të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit, me t’u inauguruar qeveria e saj, që me thirrjen e parë të Bashkimit Europian, madje edhe pa u shqiptuar kjo thirrje, e cila  është thënë e stërthënë qysh prej tri vjet e deri më tash, deputetët e majtë do të merrnin urdhër,  të thyenin këmbët me vrap, për në sallën e kuvendit, t’i votonin Po të 3 ligjet, kushte të mbetura për t’iu dhënë Shqipërisë statusi  i vendit kandidat për në BE. Dhe menjëherë do të shpallnin se, kjo është  meritë e qeverisjes së tyre, madje që në nisje. Por, çfarë do të ketë ndryshuar deri atëherë në Shqipëri, brenda kësaj kohe të paktë, për më tepër edhe më një palë zgjedhje të përgjithshme ndërmjet?
Sipas Eduard Kukan, kryetar i Parlamentit Europian për Europën Juglindore, thënë më 26.1.2012, “…nëse politikanët në Shqipëri janë vërtetë në favor të integrimit europian, atëherë ata e kanë shumë të qartë, se çfarë duhet të bëjnë. Ata duhet ta bëjnë këtë nëse janë për progresin e vendit të tyre”.
Sipas Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin e BE, transmetuar nga agjencia italiane “ANSA”, më 29.1.20012, nga konferenca për Ballkanin Perëndimor, “Do të jetë mëkat nëse tri pikat (tre ligjet) e kërkuara nga Komisioni Europian nuk do të votoheshin” dhe, sipas një raporti të “AS”, nga konferenca “Ballkani Perëndimor, një e ardhme në Europë”, Fyle theksoi  që, “Është për të ardhur keq nëse nuk do të gjendet një moment i shkurtër kohor për të mbështetur shumë nga ata që duan me të vërtetë ta ndihmojnë Shqipërinë që të hedhë hapin e saj të fundit”.
Të dy këta zyrtarë të lartë të Europës së Bashkuar, i shqiptuan thirrjet e tyre për ne, gati si me lutje, duke vënë në pah se janë vetëm  tre  ligje si kusht dhe asgjë tjetër, se për t’i votuar ato tre ligje duhet vetëm një moment i shkurtër kohor, dhe se e gjithë kjo bëhet për  shqiptarët që e duan integtrimin e vendit të tyre.
Sipas kryetarit të PS Edi Rama, kjo nuk mund të ndodhë sepse,  “… Shqipërisë nuk i mungojnë  3 ligje për të hyrë në Europë, Shqipërisë i mungojnë 3 pushtete për të hyrë në Europë. I mungon pushteti legjislativ, që është peng i ekzekutivit. I mungon pushteti ekzekutiv, që është peng i korrupsionit. I mungon pushteti gjyqësor, që është peng i korrupsionit dhe  ekzekutivit”.
Përballë thirrjes së stërpërsëritur të BE, përgjigja e PS me sajim kushtesh është,  siç në shqipe ka dy thënie për të njëjtin kuptim: “Më katolik se Papa” dhe “I zoti e jep, tellalli se jep”.
Sipas kreut të shumicës, kryeministrit  Sali Berisha, bllokimi i pashpirt i së majtës ndaj interesit të madh  të shqiptarëve, nuk ka tjetër mënyrë të hiqet përveçse, “ Do të jetë demokracia direkte ajo që do t’i kundërvihet skenarit të bllokimit të lidershipit socialist”, e thënë edhe me fjalë të tjera, kjo bllokadë e gjatë që e majta duket se do ta vijojë, mposhtet vetëm me referendum.
Vështirë të gjesh ndonjë çështje tjetër, të jetë shtjelluar mbarë e mbrapsht dhe prapë në vend, se sa legjenda e 3 ligjeve: janë veç 3, as 30 as 300; duhen veç 3 sekonda e jo më shumë; 3 ligje kanë shqiptuar edhe zyrtarët e  lartë të BE e asgjë më tepër. Atëherë, çfarë bën që PS të mos bashkohet me Po-në dërrmuese popullore, e njohur botërisht përmes sondazhesh e perceptimesh të besueshme?
Ajo që i mungon Shqipërisë nuk janë 3 pushtete, sepse që të tri pushtetet janë: edhe Legjislativi, edhe Ekzekutivi, edhe Gjyqësori. Të pohosh se ato i mungojnë vendit, do të thotë ta vërvitësh Shqipërinë në parashtet. Por, votimi nuk ndodh gjatë  tre vjetëve e ca, as për 3 shkaqe rreth çështjes, as për 3 mungesa bazike, as për 3 pa merita. Votimi Po nuk bëhet vetëm  për NJË arsye: Opozitës i mungon pushteti dhe në grupin parlamentar të PS nuk ka as 3 deputetë, të kenë guximin t’i thonë Po  3 ligjeve për marrjen e statusit.
Të tjerat janë lojëra me pritshmërinë shumë të gjatë të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›