Opsion i rrezikshëm
Ish-Zëvendësemisari në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan ka deklaruar se askush në bashkësinë ndërkombëtar nuk mbështet ndarjen e Kosovës. Në një intervistë për Express, të dielën, ai ka thënë se do të befasohej nëse Serbia pranon të shkëmbej Luginën e Preshevës me pjesën veriore të Kosovës. Ai vlerëson se Beogradi nuk do të pranonte këtë opsion për shkak të autostradës dhe hekurudhës që lidhin Serbinë dhe Maqedoninë përmes Luginës së Preshevës.
Express: Ambasador Rohan, kohëve të fundit po flitet shumë për ndarje të Kosovës, sidomos në Beograd. Çfarë mendoni ju për këtë ide?
Rohan: Unë jam plotësisht kundër, ashtu si edhe tërë bashkësia ndërkombëtare. Ne mendojmë se kjo nuk është kurrfarë zgjidhje dhe është e rrezikshme nëse filloni të ndani sepse mund të vazhdojë me shtete tjera. Kështu që, reagimi im është plotësisht negativ.
Express: Disa politikanë në Beograd vlerësojnë se pjesa veriore kurrë nuk do të pranojë të integrohet në sistemin dhe shoqërinë kosovare.
Rohan: Nuk jam aq i sigurt se kjo është e vërtetë. Ata (politikanë) kanë qenë të bindur se Kosova kurrë nuk do të bëhej e pavarur, por Kosova u bë e pavarur. Mendoj se ata e dinë se veriu është pjesë e Kosovës dhe duhet të integrohet. Kjo gjë tashmë është vonuar mjaft. Kjo në shumë aspekte për shkak të trashëgimisë së administrimit nga bashkësia ndërkombëtare.
Express: Pse integrimi i veriut është aq i ngadaltë, ndërkaq në pjesët tjera ku jetojnë serbët është zbatuar decentralizimi?
Rohan: Ka shumë faktorë. Nga njëra anë, Beogradi mbështet institucionet e ndara në veri. E dyta, ka liderë lokalë që kanë interes në këtë situatë të paligjshmërisë e cila mbretëron në veri. Administrata ndërkombëtare që ka qenë përgjegjëse për administrim para shpalljes së pavarësisë nuk ka vepruar mjaft fuqishëm për t’i dhënë fund kësaj ndarje.
Express: Një ide që po qarkullon është shkëmbimi i veriut me Luginën e Preshevës.
Rohan: Është një prej shumë ideve. Nuk jam i sigurt se Serbia është e gatshme të heqë dorë nga Lugina e Preshevës për shkak të autostradës dhe hekurudhës që kalojnë nëpër Luginë. Është një zonë me rendësi strategjike. Do të isha i befasuar nëse Beogradi do të hiqte dorë nga Lugina e Preshevës.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...