Kthehet e lumtur
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka deklaruar të dielën se dialogu Kosovë – Serbi nuk mund t’i kalojë “vijat e kuqe” të vendosura nga Prishtina.
Pas kthimit nga Samiti i Liderëve të Europës Qendrore dhe Juglindore në Varshavë, Presidentja Jahjaga ka thënë se edhe në Poloni ka diskutuar për temën e dialogut ndërmjet dy shteteve dhe ua ka konfirmuar qëndrimin e Kosovës se takimet me palën serbe kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dy shtetet.
Por, jo edhe për ndarje territoriale.
“Çdo çështje tjetër që hapet, sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjen e statusit, këto janë çështje që kanë vijën e kuqe. Unë disa herë e kam përmendur çështjen e vijës së kuqe dhe këtu nuk do të ketë asnjë diskutim”, ka thënë Presidentja, të dielën në një konferencë për shtyp në Aeroportin e Prishtinës.
Shefja e shtetit ka sqaruar se njoftohet nga Qeveria e Kosovës për rrjedhën e dialogut me Serbinë, para dhe pas takimeve që zhvillohen ndërmjet palëve në Bruksel.
Ndryshe, Presidentja Jahjaga ka folur edhe për takimet që ka pasur në Poloni me Presidentë të shumë vendeve të BE’së dhe me Presidentin e SHBA’ve, Barack Obama.
“Kthehem me porosi shumë të mira për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Sepse pjesëmarrja, për herë të parë, e imja dhe e Kosovës në një Samit të tillë, në nivel të njëjtë me të gjithë presidentët e Evropës Qendrore dhe Juglindore është një arritje shumë e madhe e Kosovës, e institucioneve të saj dhe veçanërisht e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja e Kosovës.
Presidentja Jahjaga, e cila ka qenë në mesin e 21 Presidentëve të Europës Qendrore, tha se ka kërkuar ndihmën e vendeve të BE’së për integrimin e Kosovës në familjen evropiane.
“Po ashtu, kam kërkuar fuqimisht që Kosova sa më shpejtë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me shtetet e BE-së, që do të fuqizonte jo vetëm reformat e brendshme, do të nxiste debatin e brendshëm për arritjen e këtyre reformave, por gjithashtu do të nxiste edhe çështjen e zhvillimit ekonomik, do të hapte mundësitë tregtare për Kosovën”, ka shtuar ajo.
Por cili ishte mesazhi i Samitit të Varshavës?
“Është dhënë mesazhi se do të jetë e hapur porta për të gjitha shtetet, duke përfshirë Kosovën, drejt integrimit në BE, NATO dhe OKB”, ka treguar Jahjaga.
Presidentja e Kosovës ka thënë se ka marrë garanci nga pjesëmarrësit e takimit se lobimi për njohjen e shtetit të ri do të vazhdojë.
“Nga secili prej tyre kam marrë premtime se do ta kemi mbështetjen e tyre të fuqishme drejt procesit të lobimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
Shefja e shtetit ka treguar se është takuar me shumë presidentë që morën pjesë në Samit.
“Nga shumica e presidentëve kam kërkuar që të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në agjendën e integrimit europian dhe kam marrë edhe konfirmimin e tyre pozitiv, që Kosova duhet të punojë fuqimisht, ashtu siç ka bërë deri tash, në arritjen e parakushteve sa i përket agjendës evropiane dhe integrimeve evropiane”, ka thënë Jahjaga.
Veç kësaj, Jahjaga ka thënë se ka marrë ftesa për vizita në shumë vende, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Gjermaninë, Hungarinë e Lituaninë.
“Besoj se me vizita në këto shtete mund të zgjerojmë lobimin tonë, nevojat tona për njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Presidentja Jahjaga.
Kjo është hera e parë për Jahjagën dhe Kosovën që përfaqësohet në një Samit, ku marrin pjesë presidentë të vendeve të fuqishme të botës. Shkaku i prezencës së Kosovës në Varshavë, Serbia dhe Rumania kanë anuluar pjesëmarrjen.
N’rregull me Gardën
Pas kthimit nga vizita e parë zyrtare jashtë Shtetit, Presidentja e Kosovës është pritur nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Praktikat e tilla të pritjes së presidentëve të Kosovës kanë ndodhur edhe më herët. Kjo shihet si krejt normale nga njohësi i protokolleve, Fadil Maxhuni.
“Është plotësisht në rregull me dalë me pritë Presidenten me Gardën Ceremoniale. Edhe ashtu ka qenë një vizitë e suksesshme dhe takimi i dy apo më shumë presidentëve në çfarëdo rangu qofshin ata, detyrimisht duhet të pritet me Gardën Ceremoniale. Nuk ka asnjë telashe të protokollit, bile e parasheh çdo vizitë të Presidentit jashtë vendit, çdo kthim e pret jo me përmasa të mëdha ceremoniale, por megjithatë Presidentin e pret me Gardë Ceremoniale”, ka thënë Maxhuni, për Express, të dielën.