E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Serbia në Gjermani dhe prapa

Që nga momenti kur u hoqën vizat për Serbinë dhe Maqedoninë, një numër i madh i azilkërkuesve romë nga të dy vendet i janë vërsulur Gjermanisë. Të gjithë janë refuzuar, vendim ky i cili ka tërbuar grupet për të drejtat e romëve. Nga Express më 30 maj 2011 në ora 08:42

Sipas të gjitha standardeve evropiane, qendra e refugjatëve Marienfeld, në jug të Berlinit, nuk është një akomodim luksoz. Por ndërtesa tri-kateshe, në të cilën janë vendosur azilkërkues, ka ngrohje, ujë të nxehtë dhe rrymë-gjëra këto të cilat për Sashko Tomovskin 33 vjeçar dhe familjen e tij janë një luks i vërtetë.

“Për ne ky është Las Vegas”, thotë Tomovski, një azilkërkues nga Maqedonia. Dero vonë, shton ai, ai dhe bashkëshortja e tij, së bashku me tri vajzat, kanë jetuar në një objekt pa rrymë, pa ujë dhe ngrohje, në një koloni të romëve në lindje të Maqedonisë, koloni kjo të cilën ai e cilëson si “ferr”.

Azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor, si Tomovski, së fundi kanë vërshuar në numër të madh Gjermaninë dhe shtetet tjera Perëndimore. Përderisa lista është kryesuar nga azilkërkuesit afganë dhe irakianë, aplikantët nga Serbia dhe Maqedonia në vitin 2010 janë rreshtuar në vendin e tretë dhe të katërt dhe pjesa më e madhe prej tyre janë romë apo pjesëtarë të pakicave tjera kombëtare në këto shtete.

Një vit më herët, vetëm 690 aplikantë nga këto dy shtete kishin zbarkuar në Gjermani. Edhe Belgjika dhe Suedia kanë raportuar shtimin e numrit të azilkërkuesve.

Më lehtë për azilkërkuesit

Ky zhvillim nuk i atribuohet trendeve në përkeqësim apo konfliktit në Serbi dhe Maqedoni, por shfuqizimit të regjimit të vizave për udhëtarët nga këto dy shtetet në vendet e zonës Shengen. Ky vendim, i cili hyri në fuqi në fund të vitit 2009, është cilësuar si një hap për integrimin e shteteve të Evropës Juglindore në BE.

Por ky vendim ja lehtësoi mundësinë azilkërkuesve potencial nga këto dy shtete që të udhëtojnë nepër Evropë. Në dhjetor, regjimi i vizave u hoq edhe për Bosnjën dhe Shqipërinë, duke shtuar edhe më shumë frikën në mesin e zyrtarëve të BE-së se numri i azilkërkuesve do të shtohet edhe më shumë.

Shtimi i numrit të azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia dëshmon për varfërinë ekstreme dhe për paragjykimet, me të3 cilat përballën kryesisht romët në këto shtete, theksoi në një deklaratë organizate gjermane për të drejtat e refugjatëve, Pro Asyl. Komunitetet e romëve në Ballkan dhe pjesën më të madhe të Evropës jetojnë në kushte të vështira dhe diskriminim.

Megjithatë, këto kushte nuk janë vlerësuar si arsye për t’i dhënë romëve statusin e refugjatëve.

Vitin e kaluar, asnjë aplikanti të vetëm nga Serbia dhe Maqedonia nuk i është dhënë azil në Gjermani dhe zyrtarët e BE-së shtimin e aplikacioneve nga qytetarët nga këto dy shtete e konsiderojnë si abuzim të sistemit të azilit.

“Aplikacionet e këtilla për azil do të refuzohen me shpejtësi, në mënyrë që të minimizohet maksimalisht koha e qëndrimit ilegal në Gjermani dhe shpenzimet financiare, të cilat ndërlidhen me të”, ka deklaruar më herët gjatë vitit Thomas de Maiziere, i cili atëbotë ishte ministër i Brendshëm i Gjermanisë. Maiziere tashmë është ministër i Mbrojtjes, por qëndrimi i autoriteteve gjermane me gjasë nuk do të ndryshojë as nën kryesimin e pasardhësit të tij, Hans-Peter Friedrich.

Azilkërkuesve në Gjermani dhe shteteve tjera evropiane iu ofrohet strehim, kujdes mjekësor dhe shuma modeste të parave për ushqim dhe veshmbathje, gjatë muajve sa zgjatë procesi i shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Edhe shtetet tjera kanë ndërmarrë masa, për kthimin sa më të shpejtë të azilkërkuesve në vendet e tyre. Vitin e kaluar, Belgjika ktheu prapa me autobusë me qindra azilkërkues në Serbi dhe Maqedoni.

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë theksuar se vala në rritje e azilkërkuesve nga Ballkani mund të rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave për shtetet e rajonit.
Në tetor të vitit të kaluar, Komisionarja e BE-së për çështje të brendshme, Cecilia Malmstrom, i shkroi letër ministrave të Brendshëm të Serbisë dhe të Maqedonisë, duke kërkuar nga ata që të ndalin valën e azilkërkuesve në shtetet anëtare të BE-së.

Që nga ajo kohë, janë ashpërsuar kontrollet kufitare në Serbi dhe Maqedoni. Grupet për të drejtat e romëve dhe të refugjatëve kanë kritikuar vendimin për ashpërsimin e kontrollit kufitar. Kërkesa drejtuar këtyre shteteve, që të mos lejojnë daljen e qytetarëve nga shteti, është një kërkesë për të shkelur ligjin ndërkombëtarë, ka theksuar në një deklaratë një koalicion i organizatave për të drejtat e romëve dhe të refugjatëve.

Sipas disa vlerësimeve, rreth 500 mijë romë janë vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në atë që nga disa cilësohet si “holokausti i harruar”.

Çështja e migracionit të romëve nga Evropa Juglindore në shtetet më të pasura evropiane, tërhoqi vëmendjen së fundi. Vitin e kaluar, Franca u kritikua ashpër për shkak të politikës së saj për të vënë në shënjestër romët nga Bullgaria dhe Rumania, të cilët i dëboi.

Të rrahur dhe të keqtrajtuar

Përkundër ashpërsimit të kontrollit, azilkërkuesit nga Serbia dhe Maqedonia po vazhdojnë të arrijnë në Gjermani. Diku kah fundi i fundit, Tomovski dhe familja e tij hipën në një autobus, i cili i solli në Hamburg. Aty, ai aplikoi për azil, para se të zhvendosej në qendrën Marienfeld në Berlin.

Kjo qendër është ndërtuar para gjashtë dekadave, për të akomoduar refugjatët nga Gjermania Lindore dhe deri në momentin e bashkimit të Gjermanisë, 1.35 milionë gjermanë nga lindja kanë kaluar nëpër këtë kamp.

Pas rritjes së numrit të azilkërkuesve që po arrijnë në Gjermani, kjo qendër sërish ka filluar të pranojë refugjatë; në të jetojnë sot rreth 270 persona, por në të mund të akomodohen deri në 2 mijë persona.

Në këtë qendër, një grup i banorëve romë refuzon me këmbëngulësi qëndrimin se kërkesat e tyre për azil janë jo-legjitime.

Shumë prej tyre kanë kaluar disa vjet të fëmijërisë së tyre në Gjermani, pasi që kishin ikur nga Jugosllavia në vitet e 90-ta dhe ata tani dëshirojnë të kthehen, për shkak të diskriminimit të tyre në shtetet prej nga vijnë.

Një i mitur nga Serbia, i quajtur Denis, thotë se është rrahur dhe keqtrajtuar në shkollë, vetëm për shkak se është romë.

“Ata thonë ky nuk është vendi juaj. Nëse reziston, të vrasin”, tha Denis.

Ai thotë se në Gjermani ka arritur para disa muajve, me prindërit dhe vëllanë. Familja e tij ka kuptuar disa ditë më parë se kërkesa e saj për azil është refuzuar dhe se ka disa javë kohë, për t’u larguar nga Gjermania.

“Dëshirojmë të qëndrojmë. Nuk kemi asgjë atje. Babai im nuk po arrin të gjen punë. Nuk mund të fitojmë asgjë”, rrëfen Denisi.

Një mashkull 27 vjeçar, i cili theksoi se ka ardhur me familje nga Serbia, insistoi se diskriminimi me të cilin përballen romët, arsyeton kërkesën për azil.

“Problemi është se madje nuk na pranojnë as si njerëz”, rrëfen ai për jetën në Serbi.
“Të gjithë e dinë se çfarë jete të vështirë kanë romët. Por askush nuk dëshiron të ndihmojë”, nënvizoi ky 27 vjeçar. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›