Orban bllokon ndihmën për Kievin, Costa: Vendim i papranueshëm

Bashkimi Evropian është përfshirë sërish në tensione të brendshme për çështjen e ndihmës ndaj Ukrainës. Hungaria, e mbështetur nga Sllovakia e kryeministrit Robert Fico, ka vendosur veton ndaj huasë prej 90 miliardë euro për Kievin, duke shkaktuar një përplasje të fortë brenda Këshillit Evropian.
Sipas La Repubblica, kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk e ka fshehur njëfarë mirëkuptimi ndaj Viktor Orban-it, i cili pritet të përballet me zgjedhjet kombëtare në prill.
Ndihmat për Ukrainën janë shtyrë të paktën për një muaj, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka cilësuar këtë bllokim si “të papranueshëm”.
Nga ana e tij, Orban ka mbrojtur vendimin duke e konsideruar ligjërisht “të qëndrueshëm” dhe ka kushtëzuar mbështetjen për Kievin me riparimin e tubacionit Druzhba, i dëmtuar nga bombardimet ruse. “Jemi gati të mbështesim Ukrainën, kur të kemi sërish naftën tonë”, ka deklaruar ai.
Meloni ka theksuar se lideri hungarez po shkel marrëveshjen e dhjetorit, por sipas Politico, ka pranuar se kur rrezikon të humbasësh zgjedhjet, gjërat mund të ndryshojnë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kujtuar se ndihma prej 90 miliardë euro është jetike, ndërsa bisedimet e paqes mes SHBA-ve, Rusisë dhe Ukrainës janë pezulluar për shkak të luftës me Iranin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se i dërguari Kirill Dmitriev do të vazhdojë punën mbi bashkëpunimin ekonomik, por “bisedimet trilaterale janë në pauzë”.
/rtsh.al/