E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizatat e medias dhe shoqërisë civile kërkojnë forcimin e kuadrit ligjor kundër padive SLAPP

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Organizata evropiane dhe rajonale për lirinë e medias, së bashku me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë forcimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor kundër Padive Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP).

Në një letër drejtuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, organizatat mirëpresin projektligjin anti-SLAPP dhe progresin drejt krijimit të garancive më të forta për gazetarët, punonjësit e medias, shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të angazhuar në pjesëmarrjen publike.

Organizatat vlerësojnë pozitivisht disa prej elementeve të projektligjit, përfshirë zbatimin e tij si për procedurat e brendshme, ashtu edhe për ato ndërkufitare, afatin 60-ditor për vendimmarrjen lidhur me garancinë dhe rrëzimin e hershëm të padisë, si dhe dispozitat për shpenzimet, kompensimin dhe procedurat gjyqësore në vende të treta.

Sipas tyre, këto elemente pasqyrohen edhe në vlerësimin ligjor të ekspertëve të Këshillit të Evropës, të përgatitur në kuadër të projektit të përbashkët BE–Këshilli i Evropës “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”. Vlerësimi konstaton se projektligji është, në përgjithësi, në përputhje me standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës, por identifikon edhe ndryshime që do të forconin qartësinë juridike dhe efektivitetin e tij.

Një tjetër kërkesë lidhet me rishikimin e përkufizimit të procedurave gjyqësore abuzive. Sipas organizatave, një pretendim nuk duhet domosdoshmërisht të jetë “haptazi i pabazuar” që procedura të konsiderohet abuzive. Ndërsa ky kriter, sipas tyre, duhet të mbetet pragu për zbatimin e mekanizmit të rrëzimit të hershëm.

Organizatat kërkojnë edhe garanci të zbatueshme në praktikë për mbulimin dhe rimbursimin e shpenzimeve të arsyeshme të mbrojtjes, dëmshpërblimin dhe sanksionet, si dhe informacion të aksesueshëm mbi ndihmën juridike. Në rekomandime përfshihen edhe identifikimi dhe monitorimi sistematik i rasteve, publikimi i vendimeve gjyqësore përkatëse dhe trajnimi i profesionistëve dhe institucioneve përgjegjëse.

Në letër kërkohet shqyrtimi i garancive për mbrojtjen e burimeve konfidenciale gazetareske dhe personave që marrin pjesë në mënyrë anonime, si dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme për zbatimin efektiv të mekanizmave anti-SLAPP.

Organizatat i bëjnë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që, në kuadër të reformës, të trajtojë edhe vijimin e kriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes. Sipas tyre, mbajtja e mundësisë së ndjekjes penale për shprehje që lidhen me çështje me interes publik mund të dobësojë efektivitetin e garancive të reja civile kundër SLAPP-ve.

Letra nënshkruhet nga organizata ndërkombëtare dhe rajonale, mes tyre Reporterët pa Kufij (RSF), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Free Press Unlimited (FPU), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Rrjeti SafeJournalists, si dhe organizata të shoqërisë civile shqiptare, përfshirë Këshillin Shqiptar të Medias, BIRN Albania, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Institutin Shqiptar të Medias, Faktoje dhe Citizens Channel.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›