E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orientime të reja bashkëpunimi

24-07-2012 / Nga Ilirian Dahri

“Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar për gjeneratat e ardhshme” - me këtë frazë të famshme të Alçide De Gasperit e ka filluar vizitën e tij në Rusi  presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Në fakt ka qenë një intervistë e dhënë prej tij dhe e përhapur nëpërmjet Tv Rusia 24, ndërsa është duke kryer vizitën e tij të parë në Rusi si president i Këshillit të Ministrave të Italisë. Një vizitë e rëndësishme sepse Rusia është gjigandi europian i zonës jo të Bashkimit Europian dhe  jo të Euros por që edhe këtë vit ka shënuar një rritje rreth 4%. Kjo vizitë është një  privilegj për Mario Montin që ka trashëguar nga Silvio Berlusconi miqësinë me Vladimir Putin. Për Mario Montin raportet Bashkim Europian/Rusi në këto kohë krize duhet të jenë “bashkëpunuese dhe pa rivalitete”. Mario Monti ka nënvizuar se do të vazhdojmë të kultivojmë vizionin e një hapësire të madhe, të qarkullimit të ideve, të personave (prej vitesh po punojmë për liberalizimin e vizave), të kapitaleve dhe të mallrave mes Bashkimit Europian dhe Rusisë”. Nga ana tjetër kjo është edhe një ide kjo e Kremlinit: “Vetë presidenti Putin në një fjalim të tij në konferencën e Ambasadorëve të Fedratës ruse ka hedhur idenë e një hapësire të përbashkët nga Atlantiku në Paqësor” - ka shtuar Monti në një prej intervistave të tij për mediat ruse. Objektivi është “bashkëpunimi politik në menaxhimin e situatave të krizës dhe të kërkimit të zgjidhjeve më efikase për të garantuar stabilitetin ndërkombëtar dhe atë të kontinentit. Kemi përballë  mundësi të mëdha për të punuar bashkë”. Më vonë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka shtuar se politika dhe ekonomia duhet të ecin së bashku: në një mënyrë që në perspektivë të jetë rilidhja e të gjitha niveleve duke e konsideruar si një partner strategjik Rusinë dhe duke lënë mënjanë në të njëjtën kohë divergjencat. Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti ka takuar ndërkaq, në manastirin Danilovskij, Patriarkun e Moskës dhe të gjitha Rusive, Kirill për të dhënë disponueshmërinë e afërsisë në mbështetje të një dialogu mes katolikëve dhe ortodoksëve me qëllim edhe të një takimi mes Kirill dhe Papës. Patriarku Kirill në gusht do të shkojë për një vizitë në Poloni që në të njëjtën kohë do të vlente edhe si një hap vendimtar paqeje mes rusëve dhe polakëve ose e parë ndryshe mes katolikëve dhe ortodoksëve. Krahas këtyre vizita e Montit ka të bëjë më së shumti me ekonominë dhe firmat italiane që punojnë prej vitesh në Rusi. Lidhjet ekonomike mes dy shteteve tashmë janë të shumta që nga fusha energjetike tek ajo e teknologjive pa harruar edhe investimet kolosale që kanë kryer italianët në Rusi. Sipas presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti, Rusia “është një treg vital për shumë prej firmave tona të vogla dhe të mëdha”. Nisur nga kjo sot janë nënshkruar shumë marrëveshje në prani të kryeministrit rus Medvedev dhe Mario Montit. Një ndër to është padyshim edhe ajo që disa ditë më parë kishte deklaruar Aleksander Kisilev, për Postat ruse të cilat do të firmosin një memorandum me Postat italiane për të vazhduar një bashkëpunim të nisur ndërkaq prej disa vitesh. Padyshim ka edhe marrëveshje të tjera si ajo mes Eni-t dhe Rosneft, një memorandum mes Techint dhe Norilsk Nickel, një tjetër me bankën ruse Vtb, një tjetër akoma mes Bankës Intesa Sanpaolo dhe Gazprombank dhe në fund projekte në Kaukazin e veriut me grupin De Eccher. Takimi me presidentin rus do të zhvillohet në një prej residencave verore të Vladimir Putin, në Soçi. “Berlusconi dhe Putin kanë patur raporte të forta dhe të rregullta dhe kjo do të thotë që përtej partive, Italia dhe Rusia duhet që të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku”. “Në nivele të larta do të diskutohen të gjitha çështjet kyçe të momentit në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar me prespektivën për të gjetur orientime të reja bashkëpunimi” – nënvizojnë nga zyra e shtypit të presidenti rus Putin. Ndërkaq do të eksplorohen në sektorin energjitik, në atë të postave në realizimin e impianteve sportive, në finacime të përbashkëta për ndërkombëtarizimin e firmave dhe madje një bashkëpunim në sektorin turistik në Kaukazin e Veriut. Techint e presidentit Xhanfeliçe Roka dhe Norilski Nickel do të firmosin për realizimin e një impianti në qytetin Norilsk ndërsa firma friuliane De Eccher (do të jetë i pranishëm vetë aksionisti kryesor Klaudio De Eccher) do të mbyllë një kontratë me Vtb për një program zhvillimi multifunksional, me financimin e  Bankës Intesa Sanpaolo (i pranishëm administratori Enriko Kukiani) me një linjë kreditimi që arrin deri në 276 milionë euro.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›