E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e jep imunitetin vetëm me pazarin për drejtësinë

24-07-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca refuzon qartazi miratimin e një diktati të pakicës mbi shumicën, siç kërkon kreu i PS-së. Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh dje para ligjvënësve demokratë se kreu i opozitës po kërkon në shkëmbim të heqjes së imunitetit që të gjithë krerët e institucioneve të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, përmes vetos së tij
Deklarata/Sundimi i pakicës mbi shumicën sipas modelit 45 vjeçar të Enver Hoxhës, s’do rikthehet kurrë më në Shqipëri

Çështja më e debatuar e javëve të fundit, heqja e imunitetit përmes ndryshimit të Kushtetutës, është trajtuar gjerësisht dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, nga kryeministri Sali Berisha. Krahas apelit të radhës për opozitën që të japë votën “pro” amendimeve të Kushtetutës në 6 gusht, Berisha parashtroi dhe arsyet për të cilat Rama shfaqet bllokues përballë një nisme të tillë.
Sipas tij, është e padobishme dhe bizare tentativa e Ramës për vendosjen e “Kushtetutës së pakicës bllokuese”, duke e lidhur imunitetin me pazare për drejtësinë.
“Ajo që është bizare është se zoti Rama e lidh heqjen e imunitetit, me pazare për drejtësinë. Të na thotë zoti Rama që rrëzimi i murit të imunitetit, që po kërkohet nga institucioni i akuzës dhe të gjitha institucionet e tjera, po kërkohet nga çdo qytetar shqiptar, po kërkohet nga bota akademike, lehtëson hetimin për korrupsionin apo jo, e lehtëson hetimin e gjykimin e zyrtarëve apo jo. Nuk ka shqiptar që nuk i jep kësaj pyetjeje, përgjigje pozitive. Por për zotin Rama, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka pazari dhe në shkëmbim të kësaj kërkon atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, institucionin e të cilit e mbajti dy vjet pa kryetar. Ai kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i të gjithë gjyqtarëve të këtyre gjykatave, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm Presidenti i Republikës të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se kreu i opozitës kërkon që në vend të sundojë pakica, sipas modelit 45 vjeçar komunist i sundimit dhe diktatit të pakicës mbi shumicën.
“Kjo është Kushtetuta e sundimit të pakicës. Por kjo nuk do t’i vendoset kurrë, këtij vendi! Për 45 vite me radhë, ky vend është sunduar nga një pakicë. Por kanë ikur njëherë e përgjithmonë kohërat, kur një pakicë mund të sundojë këtë vend. Ju garantoj se, në rast se ne do të bënim këtë hap, kërkesa tjetër e zotit Rama do të ishte kryeministri të zgjidhet me 84 vota. Kjo sepse standardi i tij është sundimi i pakicës. Në rast se Presidenti e kryetari i Gjykatës Kushtetuese bllokohet nga pakica, kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet nga pakica, Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga pakica, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet nga pakica, atëherë përse të mos emërohet edhe qeveria nga pakica!! Ky është varianti i sundimit dhe i diktatit të pakicës mbi shumicën”, tha kryeministri.
Duke u ndalur te arsyet e bllokimit të heqjes së imunitetit nga lidershipi socialist, Berisha tha se bën këtë për shkak të një kupolë të ngushtë, prej tre-katër vetë, në Partinë Socialiste.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje se lëshimet e mazhorancës, duke marrë për bazë draftin e propozuar dy vjet më parë nga PS, janë bërë me qëllim shprehjen e dakordësisë nga opozita.
“Zoti Rama mban peng imunitetin për shkak të një kupolë të ngushtë, tre-katër vetë, në Partinë Socialiste, të cilët, duke e ditur qartë se me këtë kurs ajo parti i largohet horizontit të pushtetit me shpejtësi të madhe, duan ta diktojnë marrjen e pushtetit nga pakica, nëpërmjet Kushtetutës së pakicës bllokuese. Kjo praktikë është absolutisht e papranueshme! Kë mbron zoti Rama me imunitetin: ministrat e qeverisë së kësaj mazhorance, gjykatësit për të cilën nuk lë gjë pa thënë, kur nuk marrin vendime të favorshme, apo mbron një kupolë të caktuar në krye të partisë së tij? Jam i bindur se shumica e deputetëve të asaj partie e kanë të vështirë të dalin para zgjedhësve të vet e të justifikojnë qëndrimin se nuk do të votojnë heqjen e imunitetit. Imuniteti i intereson vetëm atij që kërkon ta përdorë si mburojë për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme, i intereson vetëm atij që do të përdorë mashën e pushtetit për të prerë gjoba e për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme, vetëm atij që kërkon të përdorë valixhet e strajcat me para për të dhënë vendime të paligjshme. Sot nuk ka një dhunues më të madh të lirive e të drejtave të qytetarëve, sesa korrupsioni dhe një opozitë që pretendon t’i mbrojë ata, ngrihet kundër heqjes së imunitetit. Dua të garantoj qytetarët se lëshimi që ne kemi bërë për ta hequr apo kufizuar imunitetin nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, është bërë me qëllimin e vetëm që të mund të arrinim në një dakordësi me PS-së. Ndonëse të gjitha variantet e paraqitura më parë janë variante që ekzistojnë në botën e qytetëruar, përsëri zoti Paloka është mandatuar plotësisht që të marrë të gjithë mendimet që u dhanë nga ekspertët tanë e  të huaj dhe me zotin Majko të ulen së bashku, në rast se ekziston vullneti nga ana e tyre, për të hequr imunitetin. Ne jemi dakord të adresojmë edhe shqetësime të tjera të tyre, që lidhen me projektin e dorëzuar nga ne, i cili ishte qartësisht projekt i mbështetur plotësisht mbi dokumentet e EURALIUS-it, PACA-s, OSBE-së dhe institucioneve të tjera. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk marrim parasysh kërkesa të tjera të deputetëve socialistë, të lidhura me imunitetin, apo të parashtruara nga përfaqësues të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe botës akademike”, tha kreu i qeverisë.
Kreu i ekzekutivit risolli dhe njëherë tjetër në kujtesë seancën dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit, e cila dhe opinione të ndryshme në ndihmë të një procesit për mendimin e ligjit themeltar të shtetit.
“Seanca e dy ditëve më parë ishte një shkollë e vërtetë, një leksion i shkëlqyer doktrinar për imunitetin. Natyrisht, ato zonja e zotërinj që folën para jush nuk kanë tagrin politik për t’i shndërruar pikëpamjet e tyre në ligje të vendit. Mendoj se është në detyrimin tonë moral e ligjor që t’i pasqyrojmë ato e të votojmë në datën 6 gusht një akt madhor që qytetarët shqiptarë e presin prej dhjetë vitesh. Një akt madhor, të cilin Partia Demokratike e ka mbështetur dhjetë vite me radhë, e ka mbështetur kur ishte në opozitë, e mbështet tani në qeveri. Një akt madhor që i bën politikanët, të zgjedhurit e të emëruarit e lartë të këtij vendi të barabarta para ligjit, me qytetarin shqiptar, për të gjithë ata që e konsiderojnë barazinë para ligjit si themelin e vërtetë të një shoqërie të lirë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kreu i qeverisë i bëri thirrje Ramës që të përfillë interesat e qytetarëve shqiptarë, të lërë mënjanë pazaret dhe të studiojë qartësisht tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite.
“Unë i bëj thirrje zotit Rama të përfillë interesat e qytetarit shqiptar, të lërë mënjanë pazaret, të studiojë qartësisht tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite. Në tërë historinë e këtij dialogu, kemi pasur vetëm një qëllim: një histori të përbashkët suksesi. Nuk kemi pasur asnjëherë qëllimin: të tërën për ne, asgjë për kundërshtarin. Nuk është kjo kultura jonë. Në qoftë se kundërshtari, edhe kur ne nisemi nga cepi e vijmë tek varianti i tij, nuk e dëgjon zërin e qytetarëve shqiptarë, të ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, por dëgjon vetën zërin e tre-katër vetëve, atëherë nuk mund të ujdisemi, nuk mund të biem dakord”, tha më tej ai.
Grupi parlamentar i PD - Berisha: Me vdekjen e poetit Ali Podrimja, humbëm gjeniun e letrave shqipe/Kryeministri Sali Berisha vlerësoi në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, figurën e poetit Ali Podrimja i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Francë. Berisha e cilësoi poetin Podrimja si gjeniun e poezisë dhe themeluesin e poezisë moderne shqiptare duke e renditur përkrah shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj si Naimi, Fishta apo Noli. “Javën që kaloi, kombi shqiptar, letrat dhe mendimi intelektual, bota e dijes dhe e krijimit humbën njërin prej personaliteteve më të mëdha të të gjitha kohërave të këtij kombi. Humbën princin e poezisë shqiptare, poetin Ali Podrimja. Ali Podrimja ishte gjeniu i poezisë dhe këngës së këtij kombi, që themeloi poezinë moderne të shqiptarëve. Një komb, me trashëgimi të shkëlqyer letrare, poetike dhe folklorike, pati tek ky burri i madh themeluesin e poezisë së tij moderne... Ali Podrimja është themeluesi i nacionalizmit modern shqiptar. Gjimnazisti Ali Podrimja do të niste karrierën e tij të jashtëzakonshme letrare nën moton ‘Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet’. Kjo moto frymëzoi atë, kjo moto frymëzoi shqiptarët në Kosovë e mbarë botën, gjersa Kosova u çlirua... Ali Podrimja është gjeniu jo vetëm i universales shqiptare, por edhe asaj njerëzore. Ai u nda nga ne, në Francë, një vend që ai e donte, por edhe një vend, ku 30 vjet më parë, ai jetoi në një nga spitalet e Parisit, një nga dramat  më të mëdha personale, vdekjen e djalit të tij nga një sëmundje e rëndë gjaku. Këtë dhimbje, këtë vuajtje e lëndim të thellë shpirtëror ai e sublimoi në një kryevepër, ndofta më e arrira në poezinë e këtij kombit, ndofta një më të arrirat në poezinë e kohës: vepra ‘Lum Lumi’, ku është sa shqiptar, aq edhe botëror, ku është sa i dëshpëruar, aq edhe i bindur në triumf”, u shpreh Berisha.
Duke shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të poetit Ali Podrimja, kryeministri Berisha ftoi shqiptarët në nderim të kujtimit të tij të rilexojnë poezitë e tij, ku do të gjejnë veten dhe apoteozën e qëndresës e të shpirtit shqiptar.
“Ftoj shqiptarët të lexojnë e rilexojnë veprën e tij të pavdekshme. Nuk ka shqiptar që nuk do të gjejë frymëzim, në krijimtarinë e tij gjeniale. Shqiptarët, në të katër anët, po shprehin dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për këtë humbje të pakompensueshme. Çdo nderim që mund t’i bëhet këtij poeti, që sot është më i njohuri në botë, për poemat e poezinë shqiptare, nuk mund t’i rikthejë atë çka ai bëri për çdo shqiptar. Ta nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e tij”, përfundoi kryeministri
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›