E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Oriku, sinjale mbijetese

Oriku vazhdon të jetë i pathyeshëm në shtëpi, ndërsa dhe këtë javë ka dalë fitimtar duke qenë i frikshëm për kundërshtarët. Në kuadrin e javës së 17-të të Kategorisë së Parë, Oriku ka pritur Burrelin, ndërsa në fund të 90 minutave ka fituar 2-1 në një ndeshje të luajtur relativisht mirë.

Vendësit kanë kaluar në avantazh me Viktor në të 7’. Por pas 11 minutash ka barazuar për matjanët Koleci. Oriku e ka firmosur fitoren e tij me golin e Batistës në të 67’, ndërsa miqtë e kanë mbyllur ndeshjen me dhjetë futbollistë. Me këtë fitore Oriku rikthehet tek 3 pikët, kjo pas humbjes së thellë me Skënderbeun një javë më parë, 1-4. Dhe tanimë është ngjitur në vendin e 11-të me 18 pikë, por përsëri është e rrezikuar, sepse ndodhet katër pikë larg nga zona e ftohtë e rënies në Kategorinë e Dytë.

Ndeshja e radhës për Orikun është me Tomorin në transfertë, ndërsa beratasit vijnë nga një fitore e rëndësishme me Dinamon në “Selman Stërmasi”, 1-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›