Flamurtari, “poker” ndaj Besës

Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur të hënën javën e saj të 17-të, me takimin e fundit, që është luajtur midis Besës së Kavajës dhe Flamurtarit. Ky takim, që u luajt në Stadiumin “Tomori” të Beratit, ka parë vlonjatët ta mbyllin në epërsi të dyfishtë pjesën e parë, me një 11-metërsh të saktë të Jurit që në minutën e 7-të, ndërsa në minutën e 36-të, Oliveira dyfishon shifrat për Flamurtarin. Pjesën e dytë skuadra vlonjate e ka nisur në të njëjtën mënyrë, teksa është sërish Oliveira që gjen rrugën e rrjetës.
Në minutën e 57-të Liçaj kapi topin me dorë në zonë dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke i dhuruar një 11-metërsh Besës, por edhe duke e lënë Flamurtarin me 10 lojtarë. Hoxha tregohet i saktë nga pika e bardh, duke shënuar golin e parë për ekipin kavajas.
Në minutën e 60-të, Oliveira vulos fitoren e Flamurtarit, duke plotësuar edhe 3-golëshin e tij vetjak në këtë takim.
Nuk ka gola deri në fund dhe Flamurtari mund Besën 4-1, duke përfituar kështu më së miri nga hapi fals i Dinamos dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, me 32 pikë, një më pak sesa Skënderbeu kryesues.
Të dielën është zhvilluar edhe takimi i parafundit i javës së tij të 17-të, aty ku në Stadiumin “Selman Stërmasi” Dinamos është mundur minimalisht nga Tomori. Në takimin që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, beratasit kanë gjetur golin e fitores në minutat shtesë, edhe pse kanë mbetur me 10 lojtarë brenda 15 minutave të para, pas daljes me karton të kuq të Solomonit. Dinamo mbetet në vendin e 3-të, me me 31 pikë, e ndjekur nga Korabi, me 26 dhe Besa e Tomori, me nga 24 pikë.