Orkestra Simfonike e RTSH, koncert në Shkodër me muzikë nga kolonat zanore të filmave shqiptarë

Një mbrëmje e veçantë me muzikë nga kolonat zanore të filmave të njohur shqiptarë do të sjellë Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar në qytetin e Shkodrës.
Nën drejtimin e maestros Gridi Kraja, Orkestra e RTSH në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër do të vijnë me një udhëtim nostalgjik në botën e kinematografisë shqiptare, me tinguj që rikthejnë emocione të paharrueshme.
“Fundi i sezonit artistik zakonisht është bërë traditë që mbyllet me koncerte jashtë Tiranës. Sot e kemi koncertin në Shkodër. Është një koncert i shumëpritur dhe i shumëpërgatitur, në fakt, sepse Shkodra është gjithmonë një nga qytetet më mikpritëse të Orkestrës Simfonike, me shumë artdashës të mirë. I gjithë programi do të jetë me muzikën e filmave shqiptarë. Këtë repertor publiku e ka ndjekur me një nostalgji të jashtëzakonshme. Edhe ne që e luajmë emocionohemi sa herë. Besojmë që do të jetë një koncert shumë cilësor dhe publiku i Shkodrës si gjithmonë do të na duartrokasë,” thotë Blerta Ristani, drejtore artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH.
Në këtë mbrëmje do të luhen kolonat zanore të disa filmave të njohur shqiptarë, por edhe të huaj.
Fuqia e muzikës simfonike do të jehojë sot në orën 20:00 në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/