Dita e Ashures – Pas lutjeve, besimtarët përgatisin me orë të tëra ëmbëlsirën

Pas një agjërimi 10-ditor, besimtarët bektashinj kremtojnë Ditën e Ashures, e cila paraprihet nga ceremonia e një dite më parë, ku besimtarët ndjekin fjalimin dhe lutjet në nderim të të parëve.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, theksoi rëndësinë që mbart agjërimi që nga çelja e zisë për imam Hysenin, i cili bashkë me 72 profetë ranë dëshmorë në Qerbela.
“Në këtë mjedis lexojmë një libër të shenjtë që quhet Hadika ose Kopshti i të Mirëve, ku tregohen vuajtjet e profetëve nga Ademi te Muhamedi dhe nga Muhamedi në Qerbela me imam Hysenin e 70 dëshmorë. Kjo është një masakër e bërë për të vërtetën. Pas 10 ditësh agjërim dhe ditëve me psalm njerëzve iu bë një ëmbëlsirë e përbotshme, që quhet ashure. Përbërësi kryesor është gruri, pastaj hidhet çdo gjë që buron në tokë. Gjatë agjërimit nuk hahet asgjë që është me shpirt, as mishi, as peshku, as veza, as djathi, as gjalpi, për arsye se kur ndaloi profeti Nuh në vendin çudi, që sot është Qerbelaja, nuk u lag, se tha ‘kjo do lagur me gjakun e dëshmorëve të Qerbelasë, ata që do të vijnë pas teje’. 10 ditë nuk pihet ujë. Përdorim hoshafin e kumbullës dhe dhallin, për të lagur buzën,” tregoi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Përgatitja e Ashures gjithashtu ka rëndësinë e saj, ku me orë të tëra gjatë gjithë natës ajo trazohet në kazanë të mëdhenj nga burra e gra besimtarë.
“Zihet uji dhe vjen deri në pikën e vlimit. Hidhet gruri. Duke hedhur gruri në sasi të barabartë në të gjithë kazanët, vazhdohet përzierja e kësaj ëmbëlsire të shenjtë për rreth 10 orë. Pas gruri hidhet edhe fasulja, pastaj misri, arrat dhe krejt frutat. Gjithashtu hidhet edhe vaj ulliri dhe mjaltë, që janë produkte të tokës. Pasi vazhdon zierja për 10 orë ëmbëlsira vjen në fazën e zierjes së plotë, pastaj fiket zjarri, mbyllen kapakët e ashures, ndize një qiri në përkujtim të imam Hysenit dhe pritet derisa të fiket qiriri. Në çdo fazë të hedhjes së asortimenteve është Hirësia e Tij, Kryegjyshi Botëror, që bën lutjet dhe duanë,” tha Flamuri, një prej besimtarëve.
Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka edhe një mesazh për vendet në konflikt.
“Është një lutje: Janë të mallkuar të gjithë ata që veshin rrobën e Zotit për veprime djallëzore. Pra, Zoti nuk i fal ata që punojnë kundër njeriut. Ai është kundër luftërave, përçarjeve, terrorizmit, dhunës. Zoti është paqe, dashuri, mirësi. Dhe feja të tillë ndikon,” tha Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, duke shtuar se afrimi tek Zoti do ta bëjë edhe më të mirë botën në të ardhmen.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/