Orkestra Simfonike e RTSH sjell koncert në kuadër të festave të nëntorit, tri suita orkestrale dhe 15 nga vallet më të njohura shqiptare

Në prag të festave të nëntorit, Orkestra Simfonike e RTSH sjell një koncert të veçantë që përmbledh shpirtin dhe energjinë e muzikës shqiptare.
Më 10 nëntor, ora 19:00, në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, do të zhvillohet koncerti “Suita Orkestrale Shqiptare”, nën drejtimin e Armand Broshkës.
Ky projekt origjinal bashkon traditën folklorike shqiptare me madhështinë e muzikës klasike evropiane. Muzika e Tropojës, Kukësit, Matit, Krujës, Tiranës, Korçës e Çamërisë, por edhe tingujt e arbëreshëve dhe arvanitasve, janë përfshirë në tri suita orkestrale që sjellin 15 nga vallet më të njohura shqiptare në një formë të re, plot ngjyra dhe emocione.
“Më datë 10 nëntor, ora 19:00, ne presim publikun këtu në sallën ‘Ferdinand Deda’ në Radio Televizionin Shqiptar, në një koncert të mbështetur nga Ministria e Kulturës, i cili ka të bëjë me suitat orkestrale shqiptare”, tha Çlirim Baruni.
“Ky koncert do të jetë i veçantë, pasi unë do të performoj një suitë për pikolo, e cila përmbledh pesë valle popullore, si dhe do të performoj në suitën e dytë që është për flaut, violinë dhe orkestër”, tha Jonela Golemi
“Janë tre suita orkestrale të krijuara nga Armand Broshka, të cilat janë të gjitha të bazuara në muzikën popullore shqiptare. Jam e lumtur që jam pjesë e këtij projekti special”, tha Laura Llozi.
Në këtë koncert do të interpretojnë si solistë Jonela Golemi (flaut), Laura Llozi (violinë) dhe Çlirim Baruni (klarinetë).
Një mbrëmje që premton të ngrejë në skenë ritmet, gjallërinë dhe shpirtin shqiptar përmes një gjuhe universale asaj të muzikës.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/