Regjisori shqiptar i RAI – Gjon Kolndrekaj, kontributi prej 40 vitesh i mjeshtrit të regjisë

Pasioni i tij për filmin e çoi drejt RAI-t, ku punoi për gati 40 vite, duke u bërë një nga mjeshtrit e regjisë dokumentare dhe i shumë emisioneve të njohura, mes të cilave “Linea Verde”.
Gjon Kolndrekaj, regjisori shqiptar me origjinë nga Peja, ndan kujtimet e rrugëtimit të tij artistik për RTSH, që nisi në vitin 1975, kur për herë të parë shkeli në Itali.
“Meqenëse në Festivalin e Venedikut po kërkonin skenarin me regjisorë të njohur si Frank Capra, me famë botërore, një kritik i televizionit italian më tha: ‘Më befason që këtë prodhim nuk e dija se e kishit shkruar me Frank Caprën. Pse nuk vjen të bëjmë diçka eksperimentale me RAI-n?. Thashë pse jo!”, tha Koldrekaj.
Kolndrekaj tregon edhe për dokumentarët e tij kushtuar Lin Delisë dhe Nënë Terezës, si dhe për mënyrën se si ka ndikuar në promovimin e Shqipërisë në ekranet italiane.
“I vetmi që më ka njohur ka qenë Lin Delia, sepse ai nuk hante bukë për të blerë kolonat. Nënë Terezën e kam shoqëruar për 20 vjet, dhe për herë të parë kur ka hyrë në Shqipëri, e kam shoqëruar vetë. Publiku italian dhe ndërkombëtar nuk njihte asgjë për Shqipërinë. Unë jam munduar në çdo mënyrë t’ia afroj Shqipërinë Perëndimit”, tha Kolndrekaj.
Aktualisht, mjeshtri i regjisë Gjon Kolndrekaj po punon për një film të ri dokumentar mbi jetën e Nënë Terezës, me kast ndërkombëtar, që pritet të përfundojë së shpejti.
Gazetar: M.Gjini
/rtsh.al/