E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oruqi: Nuk jam i përzier në aferën e pasaportave


Ish-këshilltari në MPB, Enver Oruqi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit Bajram Rexhepi. Ai thotë se shkarkimi i tij dhe këshilltarit tjetër Rafet Rama ka qenë i ngutshëm. Sipas Oruqit është dashur të pritet verdikti i aferës së pasaportave e më pas të veprohet. Ai thotë se nuk ka gisht në aferën e pasaportave e po ashtu në asnjë tender në MPB.
Enver Oruqi, ish-këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka reaguar kundër deklaratave të ministrit Bajram Rexhepi në intervistën e botuar në Express.

Oruqi ka thënë të enjten se ministri i MPB`së bëri gabim për shkarkimin e tij dhe këshilltarit tjetër Rafet Rama.
Ai ka vlerësuar se vendimi për shkarkim ka qenë i gabuar.
“ Është vendim i gabuar në kohë të gabuar. Unë them publikisht që nuk jam i përzier në aferën e pasaportave. Por jo vetëm në këtë rast. Në asnjë tender që është hapur e kryer në MPB nuk kam gisht. Njerëzit mund të mendojnë se shkarkimi ynë ka ndodhur për shkak të pasaportave, sepse ministri shkarkimin e ka bërë në këtë kohë. Ai është dashur të presë deri në përmbylljen e kësaj afere e të vendosë pas kësaj”, ka thënë Oruqi për Express.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë në intervistë se ish-këshilltarin e tij Enver Oruqi e ka shkarkuar për shkak se atij i duhen njerëz të profileve që kanë kryer master, që dinë ligjet e BE-së , liberalizimin e vizave e të tjera.

Por burime të gazetës kanë thënë se ministri Rexhepi është i rrethuar nga këshilltarë që nuk kanë lidhje me gjuhën angleze e me “porfilet” që i ka kërkuar Bajram Rexhepi.

“ Aty ka shumë këshilltarë që nuk dinë të flasin anglisht. Nuk njohin ligjet e BE`së, nuk kanë master e të tjerë. Janë së paku dy prej tyre, Enver Rrustemi, e një këshilltare ligjore emri i së cilës është Shpresa, që nuk i kanë “ profilet” e kërkuar nga vetë ministri”, ka thënë një burim i gazetës brenda MPB`së.

E Enver Oruqi ka thënë se gjatë mandatit të parë të Qeverisë Thaçi I ai ka qenë këshilltar kryesisht për punën që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor.

“ Gjithçka që më ka kërkuar e kam këshilluar në lidhje me policinë dhe IPK . Kemi pasur raporte të mira derisa gjatë mandatit të dytë në Qeverinë Thaçi ministri “ i mësoi punët e policisë dhe IPK” sa që këto kompetenca ia besoi gradualisht shefit të kabinetit të tij, Sedat Gashi”, ka thënë ai.

Enver Oruqi ka thënë se qysh në mandatin e parë ai bashkë me këshilltarin tjetër Rafet Rama i kanë kërkuar ministrit Rexhepi që mos t`u vazhdojë kontratat e punës.

“Unë bashkë me Rafet Ramën i kemi thënë që t`na shkëputë kontratat në mandatin e parë. Pas një jave na ka thirrur në telefon dhe citoj fjalët e tij ” Pa ju nuk mundem në MPB”, citon fjalët e ministri ai.

E Bajram Rexhepi ka thënë se dy këshilltarët tashmë të suspenduar i ka trashëguar nga një ministër i më hershëm i MPB.

“I njoh që të dy shumë mirë. Z. Enver Oruqi më shumë ka qenë i angazhuar në bashkëpunim me policinë dhe me IPK. Po tash para Qeverisë dhe MPB kanë dalë sfida të tjera. Ju e dini që shumicën e punëve në liberalizimin e vizave i takojnë MPB. Në Raportin e Progresit një pjesë të madhe i takon MPB’së. Realisht unë kam nevojë për profil të njerëzve që e dinë legjislacionin e BE’së, që komunikojnë anglisht, në mënyrë që ne t’i përmbushim kushtet që kërkohen. Të dy ish-këshilltarët nuk e kanë pasur këtë potencialë”, ka thënë Rexhepi. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›