Osaj: Nuk thash se ngecen punimet

Menjëherë pas deklaratës së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Prishtinë, ka reaguar komuna e Prishtinës. Asdren Osaj zëdhënës për media ka demantuar zyrtarët e Ujësjellësit gjoja se ai ka thënë se kanë ngecur punimet në fabrikën e Ujitë në Shkabaj.
“Për dijeni të ujësjellësit rajonal "Prishtina", unë kurrë nuk kam thënë se projekti i ndërtimit të fabrikës se ujit në Shkabaj ka ngecur. Këtë e dëgjova nga deklarata e ujësjellësit. Përkundrazi, unë në postimin tim në Facebook të datës 14. 05. 2013, kam thënë që ky projekt është duke u ekzekutuar dhe nuk ka dështuar siç pati thënë Liraku në po të njëjtën datë”, tha Osaj për Indeksonline. Ai tregon se, Komuna e Prishtinës ka përkrahur projektin e ndërtimit të fabrikës së re të ujit me një buxhet prej 5 milion euro. Sipas tij, Komuna ka punuar ngushtë me kompaninë e Ujësjellësit Rajonal
Prishtina për të kryer procedurat e shpronësimit për gypin e ujësjellësit për fabrikën e ujit në Shkabaj.
Ky reagim i Osajt vjen pasi zyrtarë të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, kanë reaguar, sipas tyre, ndaj disa deklarimeve rreth punimeve për ndërtimin e fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj, në afërsi të Prishtinës, për të cilat thotë se ka indikacione se këta zyrtar nuk janë shumë në dijeni, apo janë të painformuar lidhur me projektin në fjalë.
Bëhet fjalë për deklaratën e zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, dhe deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Prishtinë Lirak Çelaj.
Sipas këtyre dy të fundit, siç thotë Ujësjellësi, punimet për ndërtimin e fabrikës kanë ngecur për shkak të numrit të popullsisë më të madh se që është vlerësuar para daljes së rezultateve nga Enti i Statistikave të Kosovës. /Indeksonline/