E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osama bin Laden, "djali" që qëndron gjithnjë një hap para shërbimeve sekrete

Koha që Bahri kaloi si truprojë e Bin Ladenit në periudhën 1996 deri në vitin 2000, shihet si më interesantja për shërbimet sekrete perëndimore, sepse atëherë Al Kaeda ndryshoi strategjinë.

Nasri al Bahri, truproja e Bin Ladenit, ka qenë një ndër ata që i ka ofruar mbështetje drejtuesit të terroristëve, në prag të sulmeve mbi Amerikë. Tani atë e kërkon FBI dhe CIA, shkruan "Dejli Telegraf". Osama bin Laden është gjithnjë një hap para shërbimeve sekrete perëndimore, tha për "Dejli Telegraf" ish-truproja e tij. Naser al Bahri, taksisti 35-vjeçar, me mjekër e me syze, që jeton në Jemen, për katër vjet ka luftuar për Al Kaedën në Afganistan. Ka qenë truproja e njeriut që me emocion të veçantë e quan Sheik. Për shkak të përvojës së Bahrit me Bin Ladenin, FBI dhe CIA janë shumë të interesuara për ta hetuar, por deri tani nuk kanë arritur të bindin pushtetin e Jemenit që ta dorëzojë.

"Në kujtesën time, më shumë ruaj faktin se Sheiku ka qenë mjaft aktiv, thotë Bahri. Që kur zgjohej, e fillonte ditën me lutje dhe deri natën vonë merrej me diçka, duke mos pushuar asnjëherë. Nuk kemi jetuar në ndonjë komoditet, por kjo nuk e ka penguar atë të punojë vazhdimisht dhe të mendojë e planifikojë, shton Bahri.

Pas lutjeve radhën e kishin punët administrative dhe më pas takimet me vizitorë të shquar dhe ndonjëherë takime të fshehta. Gjithë dita ishte si në xhirim". I ulur në një kënd të qetë të restorantit të një hoteli në Sanë, kryeqytet i Jemenit, Bahri bën deklarata interesante e tronditëse për rolin e tij në mbrojtjen e Bin Ladenit në fund të viteve ‘90. Ai thotë se nuk e ka provuar në se ushqimi i Bin Ladenit ka qenë i helmuar dhe nuk ka qenë i urdhëruar të vrasë Bin Ladenin, në rast se binte në dorë të armikut. Por, në vend të gjithë këtyre, thotë se ka qenë një ndihmës personal i armatosur, që mbante valixhet dhe siguronte punën e pandërprerë të komunikimit satelitor, që fliste me anëtarët e tjerë të shoqërimit, që nga kuzhinieri e deri te shoferi. "Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam vrarë, thotë Bahri. Momenti më i vështirë ka qenë kur erdhi për vizitë një sudanez, që papritur u bë mjaft i egër dhe i paparashikueshëm ndaj Sheikut. Më është dashur ta kap për dore, t‘i vë prangat dhe ta largoj. Por pas gjithë kësaj, Sheiku më tha ta liroja". Ashtu si sponsori i tij (Bin Ladeni), edhe Bahri ka lindur në një familje jemenase të emigruar në Arabinë Saudite. Arsimimin e ka ndjekur deri 18 vjeç, më pas e ka lënë shkollën. Si 20-vjeçar ka kryer punë të ndryshme dhe në fund i është bashkuar grupit të të rinjve të Xhihadit, të pakënaqur me orientimin properëndimor të pushtetarëve. Në vitin 1996, kur ishte 23 vjeç, u bashkua me grupin e militantëve që udhëtuan në Ketë, një qytet pakistanez në afërsi të kufirit me Afganistanin. "Prej aty, me xhip kaluam kufirin, por nuk e di se në çfarë vendi ishim. Kur arritëm në qendrën e stërvitjes së Al Kaedës, Sheiku u informua se kishte ardhur grupi i arabëve. Na priti në takim dhe bisedoi me ne. Ka qenë rast i veçantë të takoheshim me udhëheqësin tonë të ri dhe të dëgjonim qëndrimet e tij". Në Afganistanin e Jugut u bashkua me gruan, jemenasen Tajsir al Kala. Fëmija i parë, djali Habibi, ka lindur në Kandahar. Koha që Bahri kaloi si truprojë e Bin Ladenit në periudhën 1996 deri në vitin 2000, shihet si më interesantja për shërbimet sekrete perëndimore, sepse atëherë Al Kaeda ndryshoi strategjinë. "Që nga momenti që e kam njohur, gjithë kohën ka menduar për përhapjen e luftës. Gjithnjë thoshte se Amerikën duhet ta godasim në frontin që e pret më pak. Ka thënë se duam të luftojmë Amerikën në atë fushë lufte, që nuk mund ta kontrollojë", tha Bahri. Ai thotë se gjatë kohës që ishte me të nuk ka ditur për sulmet e 11 shtatorit. Por kur sulmet ndodhën, e ka kuptuar se ishin në përputhje me ato që kishte planifikuar Bin Ladeni në periudhën kur ishin së bashku. Bahri e la Afganistanin në vitin 2000, sepse vjehrra e tij në Jemen pati probleme me veshkat. U kthye në shtëpi direkt para sulmit të Al Kaedës në kryqëzorin "Kol", në Portin Aden të Jemenit, në vitin 2000. Kur e arrestuan i bindi autoritetet e Jemenit se nuk kishte lidhje me sulmin, por pavarësisht kësaj, kaloi 2 vjet në burg, që do të thotë se atje ishte edhe kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit. Shërbimi sekret amerikan përpiqet në mënyrë dëshpëruese të hetojë dhe të dërguarit e FBI kanë udhëtuar në Jemen disa herë dhe kanë biseduar në burg me të. U lirua në vitin 2002 dhe prej atëherë punon si taksist. Edhe pse nuk ankohet për marrëdhëniet me Bin Ladenin, thotë se do bënte të njëjtat gjëra që ka bërë. Bahri refuzon të bisedojë për bindjet e tij në lidhje me Xhihadin, terrorizmin, apo për çfarëdo dallimesh mes të dyjave. "Kjo do të zgjasë", përgjigjet dashamirësisht Bahri, merr syzet dhe humb në zhurmën e rrugës...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›