E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të kesh qenë shpellar është privilegj

"Pikturat dhe gdhendjet shkëmbore ruajnë kujtimet e shoqërive prehistorike në të njëjtën mënyrë si katedralet dhe muzetë arkeologjikë ruajnë dëshmitë për shoqërinë urbane". Kështu shprehet Emanuel Anati, të cilin prof.dr Myzafer Korkuti ka zgjedhur ta citojë në hyrje të veprës së tij më të fundit, "Arti shkëmbor në Shqipëri". Kështu, për herë të parë, kemi një vepër të plotë dhe të detajuar lidhur me një ndër fushat më pak të njohura brenda lëmit të arkeologjisë, e që pa diskutim ndër më tërheqëset për sa i përket ekzotizmit që bart. Por për profesor Korkutin, rëndësia e evidentimit të artit shkëmbor në Shqipëri, merr një përmasë të jashtëzakonshme në kuadër të thellimit të njohjes së bazave të prejardhjes nga pikëpamja e gjenezës kombëtare dhe kulturore. "Arti prehistorik, në të gjitha format e tij që ka mbërritur deri në ditët tona është pjesë e memories së popujve, e banorëve prehistorikë, është pjesë e evolucionit të shoqërisë njerëzore. Ai ashtu si dhe "muzika prehistorike (tingujt e harmonizuar) e ekzekutuar në fillim me gurë e pllaka guri, me guaska, me brirë, kocka e drurë të përpunuar, kanë qenë faktorë transformues të historisë". Kështu shkruan autori në tentativën për të përcaktuar çmimin dhe vlerën e kësaj fushe. Ndërsa në kontekstin e vlerës në përmasën kombëtare, ai konkuldon: Pikturat e Trenit dhe të Lipcit janë krijime të popullsisë autoktone ilire". Dhe në këtë pikëpamje, duke bërë një udhëtim e një ndalesë në secilën prej tyre në të gjithë territorin shqiptar; duke bërë një vëzhgim të imtësishëm me "lupën" e profesionit, profesor Korkuti mbërrin te rrënjët me një argument plus.

Por si ka nisur kjo punë, ky rrëmim, ky eksplorim? Veprën e tij, profesor Korkuti e nis si një rrëfenjë të zakontë me një narracion të shkriftuar në thjeshtësinë e vet: Në verë të vitit 1966 fillova gërmimet në vendbanimin shpellor të Trenit, të cilin banorët e fshatrave të afërta e quajnë shpella te Gryka e Ujkut. Më pas, sipas rrëfenjës së tij, hap pas hapi kërkimet dhe studimet janë thelluar e në vitet që kanë pasuar, është bërë i mundur krijimi i një harte të plotë të vendndodhjeve të shpellave dhe shkëmbinjve të pasura me konfiguracione, mbishkrime dhe hieroglifë me datime të hershme. Profesor Korkuti shkruan në përfundim të veprës së tij: "Në Shqipëri, sot për sot, veprën më të hershme të artit shkëmbor kemi pikturën e Lepenicës, që i takon epokës së neolitit të vonë dhe eneolitit (afërsisht 3500-2500 p.e.re)".

Ndër vendbanimet më të spikatura ku janë evidentuar elementë të artit shkëmbor në shpella, por dhe jashtë tyre, autori ka renditur Trenin, Reçin, Lepenicën, Bovillën, Xibrin, Vlashnjën e Rubikun. Në trajtesat e tij, autori ka hequr dhe paralele në specifikat e tyre me vlera të ngjashme jashtë territorit shqiptar. Korkuti shkruan: Për të kuptuar dhe interpretuar më mirë dhe për të datuar artin shkëmbor të vendit tonë, na vijnë në ndihmë elementet e përbashkëta që vihen re, të pranishme dhe në artin shkëmbor të vendeve të tjera. Gjeografikisht, më afër është piktura e Lipcit, por jo vetëm kaq. Afëritë përkojnë me zgjedhjen e vendit (shkëmbit), për pikturim, në paraqitjen e figurave në siluetë (dreri), në praninë e figurave gjeometrike etj., si dhe në realizimin me të njëjtën bojë të bardhë. Më në veri, në Bosnjën Perëndimore është piktura e Zlijebit, gjithashtu e konceptuar dhe e realizuar me të njëjtat parametra. Është bërë në faqen e një shkëmbi ku shkohet me vështirësi e që ka në përmbajtje figura të njëjta antropomorfe si Lepenica, të kombinuara me ideograme dhe të bërë me bojë të bardhë.

Me vlerë të veçantë janë pa dyshim ngjashmëritë me artin shkëmbor të Valcamonica në Italinë e Veriut, ku gjatë epokës së neolitit, eneolitit, bronzit e hekurit, lindi, u zhvillua e lulëzoi një art shkëmbor i përfaqësuar nga dhjetëra e mijëra motive e figura të thjeshta e të kompozuara, me skena nga më të ndryshmet".

Për profesor Korkutin, pasurinë dhe larminë që gëzon territori shqiptar në elementet e rralla të artit shkëmbor, nuk gjendet me të njëjtat përmasa dhe në territoret e vendeve fqinje dhe kjo, jo rastësisht. Përgjigjja gjendet te rrënjët si gjithnjë. Në këtë këndvështrim, nuk ka vend për t‘u skuqur nga turpi, nëse akuzohemi për prejardhjen tonë shpellare ose shkëmbore, gjersa aty, të parët tanë para mijëra vjetësh kanë ravijësuar në forma të koduara ndjesi dhe sentimente habitshmërisht po aq të thella siç pretendojmë se i kemi dhe sot.

Veprën e tij "Arti shkëmbor në Shqipëri", prof.dr. Muzafer Korkuti, e ka të botuar dhe në anglisht, duke menduar se interesi i të huajve do jetë maksimal për këtë lëmë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›