Osmani: 28 dhjetori, dita kur do të mbahen zgjedhjet në Kosovë

PRISHTINË, 20 nëntor/ATSH/ Më 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, njofton presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një deklaratë për mediet, Osmani tha se kjo datë është më e favorshme edhe për organizimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
“Për shkak se sot kam shpërndarë Kuvendin, automatikisht data 11 janar është përjashtuar si mundësi pasi është jashtë afateve kushtetuese që do të më lejonin ta shfrytëzoja. Sa i përket datës 4 janar jam njoftuar, që nëse zgjedhjet mbahen në janar sipas ligjit pasi s’kemi buxhet të miratuar atëherë KQZ-së do t’i lejohet një të dymbëdhjetën, pra vetëm 1 milionë euro”, tha ajo.
I mandatuari nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dështoi të mërkurën të formojë qeverinë e re në Kuvend, edhe pse e kishte bindur presidenten Vjosa Osmani se do t’i siguronte numrat për ekzekutivin e ri.
E para e vendit, pas mandatimit të Konjufcës për kryeministër më 4 nëntor, deklaroi se Konjufca e kishte bindur se kishte gjasa t’i siguronte votat për qeverinë e re, pavarësisht se nuk i kishte garantuar me 61 nënshkrime të deputetëve për një gjë të tillë.
“LVV me kandidatin Konjufca, me të cilin sapo përfundova takimin, kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo iu takon atyre. Ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem se kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, kishte thënë ajo pasi u pyet nga KosovaPress në konferencë për media më 4 nëntor.
Por, në seancën e së enjtes, Konjufca mori vetëm 56 vota të deputetëve nga 61 të nevojshme për të formuar qeverinë e re.
“Me 56 vota pro, 53 vota kundër si dhe katër abstenime, Kuvendi nuk zgjodhi qeverinë e Kosovës”, tha kryeparlamentari Basha.
LVV-ja edhe më 26 tetor ka dështuar të formojë qeverinë e re me mandatar për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurti.
/Kosovapress/