E Martë, 3 Nëntor 2026

Osmani: Partneriteti Kosovë- SHBA garanton stabilitetin afatgjatë në Ballkan

PRISHTINË,30 maj/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim kongresistet Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me Punë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati dhe delegacioni i Kongresit amerikan.

Përveç situatës aktuale politike dhe sigurisë në vend, në takim u diskutua mbi forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve reciproke.

Osmani theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo nënvizoi se sa herë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira dhe kanë luajtur rol aktiv në rajon, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm.

Po ashtu, presidentja shprehu falënderimet për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në Kosovë, duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira.

E para e shtetit tonë nënvizoi se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqe dhe prosperitet në rajon.

Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen ndaj Kosovës, presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është jetik për realizimin e synimeve euroatlantike që mbeten qëllim i palëkundur për Kosovën. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›