E Martë, 3 Nëntor 2026

SINGAPOR – Macron paralajmëron Izraelin për situatën e paqëndrueshme në Gazë

PARIS, 30 maj /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit – nëse ky i fundit nuk vepron për të lehtësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës.

“Në orët dhe ditët në vijim, nëse nuk ka një përgjigje që korrespondon me kërkesat e situatës humanitare, qëndrimi kolektiv sigurisht që do të duhet të ngurtësohet”, tha sot Macron gjatë një vizite në Singapor.

“Gjithçka varet nga vendimet e qeverisë izraelite”, tha ai.

“Sot është shumë e qartë se nuk mund ta lejojmë situatën të vazhdojë”, tha Macron, duke shtuar se bllokimi i ndihmës humanitare po çonte në një situatë të paqëndrueshme në terren.

“Shpërndarja e ujit, ushqimit dhe ilaçeve ishte një përparësi, si dhe lejimi i të plagosurve të largoheshin nga rajoni”, tha ai.

Izraeli pengoi aksesin e ndihmës në Rripin e Gazës pasi rifilloi operacionet ushtarake më 18 mars – pas një armëpushimi të përkohshëm. Qëllimi i deklaruar ishte të ushtrohej presion mbi Hamasin për të liruar pengjet e mbetura.

Bllokada është lehtësuar gjatë javës së kaluar, duke çuar në skena kaotike në Rripin e Gazës, ndërsa banorët e dëshpëruar përpiqen të kenë akses në ushqim.

Macron theksoi edhe një herë nevojën për një zgjidhje politike të konfliktit, duke bërë thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve dhe demilitarizimin e Hamasit për të lehtësuar krijimin e një shteti palestinez.

Presidenti francez tha se duhej të krijohej një arkitekturë sigurie për të gjithë rajonin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›